Kosta: Zgjerimi i BE‑së është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 korrik, Zhurnal.mk – Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, pas takimit në Paris të Koalicionit të të Gatshmëve, deklaroi se zgjerimi i Bashkimit Evropian drejt Ukrainës, Moldavisë dhe Ballkanit Perëndimor përbën investimin më të rëndësishëm gjeopolitik.

“BE është plotësisht e bashkuar në strategjinë e saj për paqe përmes fuqisë së vet – forcimi i mbështetjes për Ukrainën, rritja e presionit ndaj Rusisë dhe përgatitja e rrugës drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, shkroi Kosta në platformën X.

Ai i shprehu mirënjohje presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ishte nikoqir i takimit të Koalicionit të të Gatshmëve për avancimin e mbështetjes për Ukrainën.

“Zgjerimi është garanci kyçe e sigurisë – duhet ta vazhdojmë dhe ta përshpejtojmë këtë proces. Zgjerimi mbetet investimi më i rëndësishëm gjeopolitik, me Ukrainën, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor”, theksoi Kosta.

Nesër në Bruksel do të mbahen Konferencat Ndërqeveritare për anëtarësim në BE me katër vendet kandidate:

– Mali i Zi do të mbyllë edhe dy kapituj, duke e çuar numrin e kapitujve të mbyllur në 18 nga gjithsej 33;

– Shqipëria do të mbyllë tre kapitujt e parë;

– Ukraina dhe Moldavia do të hapin negociatat në klasterin 6.

artikuj të ndërlidhura