KPK themeloi Panelin Hetimor për shqyrtimin e një rasti disiplinor ndaj një prokurori në Prishtinë

Nga D. V.
594 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), nën kryesimin e Arian Gashi, ka mbajtur takimin e tij të jashtëzakonshëm, të 289-tin me radhë, në të cilin janë shqyrtuar çështjet e parapara sipas rendit të ditës.

Pas diskutimeve dhe shqyrtimit të materialeve përkatëse, KPK ka marrë disa vendime, ndër to edhe dorëheqjen e prokurorit, Jeton Koca.

“Këshilli miratoi dorëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton Koca. Në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, KPK do t’i përcjellë Presidencës së Republikës së Kosovës propozimin për dekretimin e dorëheqjes së tij nga funksioni i prokurorit”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se Këshilli miratoi dorëheqjen e anëtares së Këshillit Prokurorial të Kosovës, Elza Bajrami-Kastrati, nga pozita e Zëvendëskryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Ndërkaq, siç thuhet në njoftim KPK themeloi Panelin Hetimor për shqyrtimin e një rasti disiplinor ndaj një prokurori të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

“Në përbërje të këtij paneli, të përzgjedhur përmes shortit, u caktuan: kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu- kryesues; prokurori në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Fatos Ajvazi- anëtar dhe prokurori në Prokurorinë Themelore në Gjilan, Arben Ismajli-anëtar. Ndërkaq, si anëtarë rezervë u caktuan: prokurorja në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, Ardita Hyseni dhe prokurorja në Prokurorinë Themelore në Pejë, Sanije Seferi”.

Kryesuesi i Këshillit, Arian Gashi, njoftoi anëtarët e KPK-së për dorëheqjen e tij të parevokueshme nga dy funksionet që ka ushtruar deri më tani, përkatësisht nga pozita e kryesuesit të Grupi punues për monitorimin e zbatimit të Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit të sistemit prokurorial për periudhën 2025-2027, si dhe nga pozita e kryesuesit të Komisionit Mbikëqyrës për Monitorimin e Rasteve të Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, pozita këto vakante, të cilat do të plotësohen në takimet e radhës së KPK-së. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër