Kurti prezanton buxhetin 4.27 miliardë euro për vitin 2027, paralajmëron rritje të pagave dhe pagën e 13-të

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 19 nëntor, Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar në Kuvend Projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën prej 4.27 miliardë eurosh, duke paralajmëruar rritje të koeficientit të pagave nga 1 korriku i vitit të ardhshëm dhe vazhdimin e pagesës së pagës së 13-të për punonjësit publikë, raporton Ekonomia Online.

Gjatë shqyrtimit të parë të Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, Kurti tha se buxheti është rreth 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar i vitit 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i këtij viti.

Ai bëri të ditur se 908 milionë euro janë paraparë për financimin e komunave, ndërsa për pagat e punonjësve publikë janë ndarë 1 miliard e 85 milionë euro.

Sipas Kurtit, nga 1 korriku 2027 koeficienti i pagave do të rritet në 120 euro, ndërsa në gjysmën e parë të vitit punonjësit publikë do ta përfitojnë pagën e 13-të.

“Kjo është për rreth 200 milionë euro, më shumë sesa buxheti i rishikuar i vitit 2026, apo 300 milionë euro më shumë se buxheti fillestar i vitit 2026. Nga ky buxhet, 908 milionë euro do të transferohen drejtpërdrejt për financimin e komunave. Kjo përbën nivelin më të lartë të financimit komunal deri më sot dhe pasqyron rritjen e vazhdueshme të granteve qeveritare, si dhe mbështetjen për ofrimin e shërbimeve publike sa më afër qytetarëve. Në këtë buxhet kemi paraparë gjithashtu edhe rritjen e mbështetjes financiare për ekipet mbrojtëse të 4 ish-udhëheqësve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, në përputhje me kërkesat e paraqitura nga vetë ekipet mbrojtëse. Për angazhimin dhe mbështetjen e mëtejshme në këtë proces, presim edhe strategjinë e grupit punues të kryesuar nga zëvendës kryeministri Glauk Konjufca. Le të fillojmë me radhë me kapitujt e këtij propozimi buxheti. Pagat dhe mirëqenia e punonjësve publik. Buxheti i vitit 2027 vazhdon politikën e rritjes së të ardhurave për punonjësit e sektorit publik. Sikurse edhe këtë vit, është paraparë pagesa e pagës së 13-të, e krahas saj nga 1 korriku i vitit 2027, koeficienti i pagave do të rritet në 120 euro. Pra, në gjysmën e parë të vitit, punonjësit publikë do ta përfitojnë pagën e 13-të, ndërsa në gjysmën e dytë do të fillojë zbatimi i rritjes së koeficientit që nënkupton rritje të pagës për të gjithë ata që paguhen nga buxheti i shtetit. Si rezultat, buxheti për paga arrin në 1 miliard e 85 milionë euro, e që i shpërndarë në rreth 85 mijë punonjës publik, ky nivel i financimit reflekton një pagë mesatare vjetore bruto prej mbi 12 mijë eurosh”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër