Prishtinë, 19 nëntor Zhurnal.mk – Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur shqetësimin për zhvillimet politike lidhur me plotësim-ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar protesta gjithëpopullore nëse procesi vazhdon të zvarritet dhe nuk përmbyllet së shpejti.
Në një reagim për mediat, OVL e UÇK-së u ka bërë thirrje shumicës parlamentare dhe të gjitha subjekteve politike që të lënë mënjanë dallimet partiake dhe të përfundojnë sa më parë këtë proces.
“Është tërësisht e papranueshme që kjo çështje kaq e rëndësishme të zvarritet për shkak të përplasjeve politike apo presionit të bashkësisë ndërkombëtare. Qeveria dhe shumica parlamentare duhet ta kenë të qartë se përgjegjësia e tyre është të veprojnë dhe të mos lejojnë që vonesat të bëhen pengesë për përfundimin e këtij procesi”, thuhet në reagim.
Organizata rithekson se është e papranueshme dhe e pandershme që një çështje kaq e ndjeshme të përdoret për të krijuar ndasi politike apo për të thelluar përçarjet mes subjekteve politike.
OVL e UÇK-së kërkon që plotësim-ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratohen me procedurë të përshpejtuar, brenda afatit më të shkurtër që lejojnë procedurat parlamentare dhe institucionale.
Ndërkohë, sot pritej që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të hidhen në votim, por kjo nuk ndodhi pasi seanca plenare e Kuvendit të Kosovës u shty deri në njoftimin e radhës.
Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar hartimin e një ligji të ri për Dhomat e Specializuara, duke bërë të ditur se drafti i parë pritet të jetë gati javën e ardhshme.
Kurti tha se grupi punues për hartimin e strategjisë shtetërore për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të paraqesë propozimin për ligjin e ri.
Duke folur në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ai bëri të ditur se në grupin punues janë të përfaqësuara institucionet përkatëse dhe partitë politike parlamentare, ndërsa në hartimin e dokumenteve janë angazhuar edhe ekspertë juridikë.
Kurti theksoi se përmbajtja e ligjit të ri duhet të hartohet me kujdes, të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin e Kosovës dhe më pas të kalojë për diskutim dhe miratim. Ai shtoi se qëndrimi i tij ndaj Gjykatës Speciale mbetet i pandryshuar që nga pranvera e vitit 2015.

