Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri prezantuan nismën e re “Influencerët e rinj të zgjedhjeve”, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe pjesëmarrjes së të rinjve në proceset zgjedhore.
Në aktivitet morën pjesë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran.
Pjesëmarrësit përfshinin gjithashtu të rinj, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertë të medias, ku u diskutua mbi rëndësinë e zgjedhjeve si një përgjegjësi e përbashkët, e bazuar në besim, integritet dhe angazhim të vazhdueshëm qytetar.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rolit në rritje të inteligjencës artificiale në proceset zgjedhore, duke diskutuar sfidat dhe mundësitë që teknologjia ofron për mbrojtjen e votës dhe transparencën e informacionit. Paneli përfshiu: Nevila Gjata, Kryeredaktore e Faktoje.al, Besar Likmeta, Kryeredaktor i BIRN Albania dhe Joni Shtembari, Anëtar i Grupit Këshillimor Rinor të OSBE PiA, nën moderimin e Enia Hoxha.
Programi i aktivitetit përfshiu gjithashtu një ekspozitë të KQZ-së me fletët e votimit përgjatë viteve dhe demonstrimin e pajisjeve të votimit elektronik për nxënësit e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, duke nxjerrë në pah rëndësinë e edukimit dhe përgatitjes së votuesve të ardhshëm.
Ambasadori Michel Tarran u shpreh se të rinjtë janë jo vetëm e ardhmja, por edhe e tashmja e vendit, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të reformës zgjedhore dhe angazhimit aktiv të të rinjve në jetën demokratike të Shqipërisë.
Komisioneri Celibashi theksoi nevojën për integritet dhe transparencë në proceset zgjedhore, ndërsa drejtuesit e KQZ-së nënvizuan rolin aktiv të të rinjve si protagonistë të ndryshimit demokratik.

