KQZ lë në detyrë Kreshnik Hajdarin: Nuk është në kushtet e ndalimit për ushtrimin e detyrës

Nga D. V.
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 01 korrik, Zhurnal.mk – Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve gjatë seancës publike të zhvilluar sot vendosi që të lërë në detyrë kryetarin e bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdarin.

Sipas Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, pas shqyrtimit të rezultatit të verifikimit për subjektin vetëdeklarues, Kreshnik Hajdari, kryetar i bashkisë Kuçovë i Partisë Socialiste, është konstatuar se nuk është në kushtet për t’i hequr mandatin.

“KSHZ konstatoi se Kreshnik Hajdari nuk përfshihet në kushtet e ndalimit të parashikuara nga ligji për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike dhe vendosi vijimin e ushtrimit të mandatit të tij si Kryetar i Bashkisë Kuçovë”, njoftoi KQZ.

Opozita kishte kërkuar shkarkimin e kryetarit të bashkisë Kuçovë, pasi rezultonte i dënuar në Greqi për “Kalim të paligjshëm të kufirit” në vitin 1999, por që nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

artikuj të ndërlidhura