KQZ nis shpërndarjen e pakove për votimin me postë jashtë Kosovës

Nga Xh M
325 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 20 maj Zhurnal.mk – Në prag të fillimit të votimit me postë jashtë Kosovës, i cili do të nisë më 21 maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur pakot individuale me fletëvotim për secilin votues të regjistruar, i cili gjatë regjistrimit ka përzgjedhur këtë mënyrë votimi në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Deri më tani, Shërbimi Votues ka përgatitur 75,000 pako dhe rreth 30 mijë të tjera do të bëhen gati gjatë ditës së sotme, e mërkurë.

Çdo pako është individuale dhe secila prej tyre përmban:

Udhëzuesin për procedurën e votimit;

Fletëvotimin;

Zarfin e fshehtësisë; dhe

Zarfin kthyes.

Këto pako, përmes operatorit ekonomik, do të fillojnë të shpërndahen në shtete të ndryshme të botës.

Përmes shërbimeve postare, shpërndarja e pakove në adresat e votuesve do të fillojë gjatë ditës së enjte, 21 maj, dhe për votimin me postë jashtë vendit planifikohet të shpërndahen rreth 105 mijë pako.

Në çdo dërgesë postare është vendosur një numër i veçantë gjurmimi dhe ai u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim.

Votimi përmes postës do të fillojë më 21 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor. KQZ u bën thirrje votuesve që të mos presin ditën e fundit për ta dërguar pakon e tyre me fletëvotim, por ta bëjnë këtë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që pakoja të arrijë me kohë në kutinë postare, nga ku do të tërhiqet dhe do të dërgohet në Kosovë për procesin e numërimit.

Për të mundësuar një proces më të lehtë të votimit për qytetarët e regjistruar për votim me postë, KQZ ka vënë në funksion kuti postare në gjithsej 22 shtete, si: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër. Po ashtu, është funksionale edhe kutia e përhershme postare e KQZ-së në Kosovë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër