KQZ përmbyll rinumërimin e 185 vendvotimeve, pret afatet e ankesave para shpalljes së rezultateve përfundimtare

Nga D. V.
750 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 19 qershor, Zhurnal.mk – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur procesin e rinumërimit të të gjitha 185 vendvotimeve për të cilat kishte marrë vendim për rinumërim, ndërsa tani është teknikisht e gatshme për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, raporton Ekonomia Online.

Elezi bëri të ditur se procesi i rinumërimit është përmbyllur sot në orën 12:00 dhe se të dhënat tashmë janë përditësuar në platformën e rezultateve të KQZ-së.

“Në vazhdim, ju njoftoj se në orën 12:00 është përmbyllur procesi i rinumërimit të të gjitha vendvotimeve, 185 sosh, për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të rinumërohen. Të dhënat nga ky proces i rinumërimit janë përditësuar në platformën e KQZ-së për rezultate”, tha Elezi.

Ai theksoi se me përfundimin e këtij procesi, KQZ-ja ka mbyllur administrimin e të gjitha aktiviteteve të numërimit, si në Qendrat Komunale të Numërimit ashtu edhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

“Me përfundimin e rinumërimit, mund të konstatojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur administrimin e procesit që përfshin aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit, si dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i gatshëm që, teknikisht, tani të bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit”, ka shtuar ai.

Megjithatë, sipas tij, para shpalljes së rezultateve përfundimtare duhet të përfundojnë afatet ligjore për paraqitjen e ankesave lidhur me procesin e numërimit dhe rinumërimit.

“Por, siç e kemi shpjeguar edhe më herët, duhet të presim nëse do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit nga dita e fundit në QNR, e cila ishte dita e mërkurë, 17 qershor, afat i cili përfundon sot, e premte. Gjithashtu, KQZ-ja do të presë nëse do të ketë ankesa lidhur me administrimin e rinumërimit, i cili është zhvilluar gjatë këtyre dy ditëve këtu në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, pra proces i cili është përmbyllur sot, më 19 qershor, në orën 12:00”.

Elezi njoftoi se, sipas procedurave, para shpalljes së rezultateve përfundimtare, KQZ-ja do të kërkojë konfirmim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nëse ka ndonjë ankesë në shqyrtim.

“Për procedurë, më lejoni t’ju njoftoj se, para shpalljes së rezultateve, si zakonisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kërkojë konfirmim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nëse ka ndonjë ankesë e cila është në shqyrtim”.

Po ashtu, ai bëri të ditur se Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të hartojë një raport të detajuar për procesin e rinumërimit dhe gjetjet në secilin vendvotim.

“Gjithashtu, ju njoftoj se për procesin e rinumërimit, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të përgatisë një raport të detajuar lidhur me gjetjet për secilin vendvotim, sepse, siç dihet, qëllimi i rinumërimit është pikërisht që të sigurohemi se procesi i numërimit të fletëvotimeve në Qendrat Komunale të Numërimit është zhvilluar me saktësi, ashtu siç është vullneti i votuesve i shprehur në fletëvotime”.

Ai përsëriti se para shpalljes së rezultateve përfundimtare do të kërkohet konfirmim nga PZAP-ja për ekzistimin eventual të ankesave në procedurë.

“Pra, më lejoni edhe një herë të përsëris se, para shpalljes së rezultateve përfundimtare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kërkojë konfirmim nga ana e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nëse ka ndonjë ankesë e cila është duke u shqyrtuar në këtë institucion”, tha Elezi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër