Paris, 7 prill, Zhurnal.mk – Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol, ka paralajmëruar për një “prill të zi” për shkak të përkeqësimit të situatës për furnizimet globale me naftë mes luftës në Iran dhe Ngushticës së Hormuzit, e cila është kryesisht e bllokuar.
“Ndërsa marsi ka qenë shumë i vështirë, prilli do të jete shumë më keq”, tha Birol për gazetën franceze “Le Figaro”.
“Shtetet në Gjirin Persik po prodhojnë pak më shumë se gjysmën e sasisë së naftës që pomponin para luftës dhe se gazi natyror nuk po eksportohet më – përmes rrugës së ngushtë ujore vendimtare që është bllokuar në mënyrë efektive nga Irani”, shtoi ai.
“Nëse ngushtica mbetet vërtet e mbyllur gjatë gjithë prillit, do të humbasim dyfishin e naftës bruto dhe produkteve të rafinuara krahasuar me muajin mars. Po përballemi me një “prill të zi”, tha Birol.
“Jam shumë pesimist sot sepse kjo luftë po paralizon një nga linjat jetësore të ekonomisë globale. Jo vetëm naftën dhe gazin, por edhe plehrat kimike, petrokimikatet, heliumin dhe shumë të tjera”, shtoi ai.
Kriza më e rëndë e energjisë në histori
“Bota nuk ka përjetuar kurrë një ndërprerje të furnizimit me energji në këtë shkallë”, tha Birol
“Nëse shikoni tre krizat kryesore të naftës dhe gazit të së kaluarës, kriza aktuale është më e rëndë se ato të viteve 1973, 1979 dhe 2022. Po përballemi me një tronditje të madhe energjetike që kombinon një “goditje” të naftës, gazit dhe produkteve ushqimore”, tha Birol.
“Lirimi i rezervave të naftës nga IEA-ja vetëm sa e lehtësoi dhimbjen”, tha Birol.
“E vetmja zgjidhje e vërtetë qëndron diku tjetër, në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Për sa kohë që ajo mbetet e mbyllur, ekonomia globale do të përballet me vështirësi të mëdha”, theksoi ai.
