Kreu i Serbëve të Bosnjës pritet nga Putini në Moskë, e djali i tij nga bashkëpunëtorët e Trumpit në Nju Jork

Nga B.M
831 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Sarajevë, 11 maj, Zhurnal.mk – Ish-Kryetari i rajonit serb në Bosnjë dhe Hercegovinë (BeH), Milorad Dodik, u prit nga Presidenti rus Vladimir Putin në Moskë gjatë fundjavës, pasi u ftua nga ky i fundit për paradën e 9 majit, ndërsa djali i tij Igor ishte në Nju Jork për t’u takuar me bashkëpunëtorët e Donald Trumpit në Kullën Trump në Nju Jork, pasi autoritetet e rajonit serb po ndërtojnë lidhje të forta edhe me autoritetet amerikane aktuale, raporton dtt-net.com, transmeton Zhurnal.mk.

Dodiku së bashku me Kryetarin e ri të rajonit serb Sinisa Karan dhe Kryetari i Kuvendit Nenad Stevandić u takuan me Putinin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme Sergej Lavrov për forcimin e mëtejm të marrëdhënieve dypalëshe.

“Gjatë takimit me Kryetar e Federatës Ruse, Vladimir Putin, u konfirmua bashkëpunimi në nivel strategjik, siç ishte përcaktuar më parë,” tha Dodik përmes X pas takimit të 9 majit.

“Ishte një nder i madh për delegacionin nga Srpska të merrte pjesë në të gjitha ngjarjet në Moskë,” shtoi Dodik.

Putin tha se pret që Karan të ketë të njëjtën qasje ndaj Rusisë siç bëri Dodik në post e tij të mëparshëm.

“Ne kemi krijuar bashkëveprim konstruktiv dhe të rregullt me z. Dodik. Është e rëndësishme që të gjithë të keni të njëjtat mendime. Pala ruse është e përkushtuar fuqimisht për të vazhduar bashkëpunimin e frytshëm me Republikën Serbe”, tha Putin në takim sipas një transkripti nga Kremlini.

“Lidhjet midis Republikës Serbe dhe Rusisë janë të rrënjosura në traditat shekullore të miqësisë dhe afinitetit shpirtëror midis popujve tanë. Ne ndajmë një vizion të përbashkët të historisë dhe një qasje të përbashkët ndaj situatës në Bosnjë dhe Hercegovinë, Ballkan dhe Evropë”, tha Putin.

Ndërsa babai dhe bashkëpunëtorët e tij ishin në Moskë me Putinin, djali i Miloradit, Igori, në të njëjtën kohë ishte në Kullën Trump në Nju Jork për të forcuar më tej lidhjet e sapokrijuara me qeverinë e Trump dhe rrethin e tij.

“Përfundim i suksesshëm i vizitës së punës në Amerikë… Republika Serbe së pari!”, shkroi Igor Dodik në X duke postuar një foto përpara Kullës Trump.

Igori, i cili tani është Sekretar i Përgjithshëm i partisë së babait të tij, SNSD, nuk dha informacion se me kë saktësisht është takuar dhe çfarë përmbajtjeje kanë pasur takimet.

Qeveria e Donald Trump iu dha fund sanksioneve ndaj rreth 30 zyrtarëve të entitetit serb, përfshirë Dodikun, dhe rreth 30 kompanive të lidhura me të dhe partinë e tij më 29 tetor 2025, në më pak se dy muaj pas marrëveshjes dyvjeçare të lobimit midis rajonit serb dhe kompanisë kanadeze të lobimit Dickens & Madson (Canada) Inc. të një biznesmeni izraelito-kanadez.

Dodik dhe të tjerë ishin nën sanksione të vendosura nga qeveria e Joe Biden për shkak të politikave separatiste.

Pas heqjes nga lista e sanksioneve, Dodik dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë udhëtuan për në Washington, vitin e kaluar, ku u takuan me disa anëtarë të kabinetit të Trump, përfshirë Sekretaren e Shtypit Karoline Leavitt dhe Sekretarin e Mbrojtjes/Luftës Pete Hegseth. Para mbërritjes së Dodik në Uashington,… Bashkëpunëtorja më e ngushtë dhe anëtarja e Presidencës trepalëshe të BiH-së, Zeljka Cvijanovic, u takua gjithashtu me Sekretarin e Tregtisë Howard Lutnick.

Pastaj pasuan disa vizita të njerëzve të afërt me Trump në rajonin serb, përfshirë djalin e Trump, Donald Trump Jr. në fillim të muajit të kalaur.

Pjesë e marrëveshjes së lobimit është edhe kërkesa e rajonit serb për të marrë mbështetje nga qeveria e Trump për pavarësinë e rajonit.

Dodik ka thënë shumë herë se kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë do të ishte koha më e mirë për të shpallur pavarësinë dhe për t’u shkëputur nga BiH. / Zhurnal.mk.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër