Haraçinë, 24 maj Zhurnal.mk – Rrjetet sociale të banorëve të Haraçinë kanë publikuar detaje nga një incident i ndodhur sot paradite, ku sipas pretendimeve të tyre, pjesëtarë të policisë kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të një kamioni të ngarkuar me dru.
Sipas postimeve të shpërndara online, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 në rrugën 11 në Haraçinë, gjatë ndjekjes së kamionit nga policia. Banorët pretendojnë se kamioni ka derdhur drutë në rrugë, duke bllokuar qarkullimin, ndërsa më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Ata akuzojnë se policia ka qëlluar katër herë me kallashnikov në drejtim të kamionit, në një zonë të banuar dhe të frekuentuar nga qytetarë, përfshirë gra dhe fëmijë.
Sipas pretendimeve të publikuara, pas panikut dhe traumës në vendngjarje ka intervenuar edhe ndihma e shpejtë mjekësore, ndërsa dy gra dhe një fëmijë kanë pësuar shqetësime nga situata e krijuar.
“A janë normal këta policë që shtijnë me armë të gjata aty ku ka fëmijë, gra dhe të moshuar? Kush merr përgjegjësi nëse një plumb do të merrte jetën e një të pafajshmi?”, thuhet në reagimet e banorëve të publikuara në rrjetet sociale.
Deri më tani nuk ka reagim zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me incidentin dhe pretendimet e banorëve.
