Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Javën e kaluar u trondita kur lexova se [korporata financiare] JPMorgan Chase po shqyrtonte mundësinë e dhënies së kredive kundrejt zotërimeve të kriptovalutave të klientëve, edhe pse të gjithë e dinim se do të vinte dita kur kriptoja do të hynte në ekonominë reale.
Bitcoin-i, një nga asetet dixhitale ndaj të cilave bankat mund të japin kredi, ka qenë pothuajse katër herë më i paqëndrueshëm sesa treguesit kryesorë që nga viti 2020. Ai gjithashtu ka pasur lidhje me financimin e terrorizmit dhe ende nuk kam lexuar asgjë që do të më bindë se është më shumë sesa një mjet për spekulatorët dhe kriminelët. Por, kjo ka pak rëndësi kur donatorët më të mëdhenj politikë qëndrojnë prapa tij.
Komitetet e veçanta politike për kriptovalutat, gjatë disa viteve të fundit kanë shpenzuar dhjetëra miliona dollarë jo vetëm për politikanët republikanë, por edhe për shumë demokratë. Kjo përpjekje kulmoi disa javë më parë me miratimin e Ligjit Genius. Ligjet e tjera që rregullojnë asetet e tjera të kriptos pritet të miratohen më vonë këtë vit. Parashikoj se e gjithë kjo jo vetëm që do të shkaktojë krizën e ardhshme financiare, por do të nxisë edhe më shumë populizëm politik dhe trazira në ShBA.
Gjithçka të kujton vitin 2000, kur përkrahësit e derivateve mes palëve (OTC) zbarkuan në Uashington duke u lutur të “rregulloheshin” ato siç duhet në mënyrë që botës t’ia dhuronin një inovacion financiar. Ajo që morëm në vend të kësaj ishte një shtatëfishim i instrumenteve të kredive pa rregullim adekuat, të cilat kulmuan në krizën e madhe financiare të vitit 2008.
Tani, merrni parasysh që sekretari i Thesarit të ShBA, Scott Bessent, parashikon që tregu i Stablecoin-ve do të rritet dhjetëfish gjatë disa viteve të ardhshme, nga afërsisht 200 miliardë dollarë në një industri prej dy trilionë dollarësh që do të përfshihej në gjithçka – nga miratimi i kredive deri te tregjet e bonove të Thesarit.
Siç më tha javën e kaluar senatorja demokrate Elizabeth Warren, anëtare e komisionit bankar të Senatit: “E kemi parë këtë film më parë” me lobistët që thonë, “ju lutem, na rregulloni”, sepse duan vulën e artë të konfirmimit nga qeveria se janë një “investim i sigurt”, ndërsa janë politikanët ata që po ofrojnë mbështetje dypartiake për çrregullimin.
Në të vërtetë, mund të tërheqësh një vijë të qartë që nis nga çrregullimi i derivateve në vitin 2000 dhe çrregullimi më i gjerë gjatë epokës së Clintonit që ka gërryer kufijtë mes tregtimit dhe huadhënies, deri te dobësimi i [aktit mbrojtës për bursat] Dodd-Frank për bankat rajonale në vitin 2018 (që kontribuoi në krizën bankare të vitit 2023) dhe tani te Ligji Genius. E gjithë kjo ka qenë me mbështetje dypartiake.
Warren, e cila erdhi në pushtet nga votuesit e zhgënjyer prej politikanëve kryesorë të të dy krahëve, bëri një fushatë të pasuksesshme për të bindur demokratët që të mos bashkoheshin në mbështetje të republikanëve për Ligjin Genius.
Por, paraja ka zë të fuqishëm dhe lobimi për kriptovalutat tashmë ka një fuqi të jashtëzakonshme duke shpenzuar 40 milionë dollarë për të mposhtur kritikët si Sherrod Brown i Ohajos, ish-kryetar i Komisionit Bankar të Senatit. Edhe pse gati dy të tretat e demokratëve në Senat votuan kundër Ligjit Genius, mbështetësit – përfshirë senatorët demokratët me ndikim, si Mark Warner nga Virxhinia dhe Kirsten Gillibrand nga Nju-Jorku – mjaftonin që ligji të miratohej.
Kjo më shqetëson për katër arsye.
Së pari, Ligji Genius (ashtu si Akti për Modernizimin e Tregjeve të Derivateve të vitit 2000) po paraqitet si një mënyrë për ta bërë kripton më të sigurt, me Stablecoin-in e mbështetur një me një nga dollarët amerikanë.
Por, kjo nuk e bën më pak të paqëndrueshme një klasë asetesh që, në thelb, është e paqëndrueshme. Përkundrazi, mund ta bëjë tregun e përgjithshëm edhe më të paqëndrueshëm. Mbështetësit flasin për kriptovalutat, si Bitcoin-i, si një mburojë ndaj tregjeve tradicionale, por në të vërtetë Bitcoin-i është një investim “me beta të lartë” [ndjeshmëri] që do të thotë se ka një korrelacion të lartë me tregun e aksioneve. Kjo nënkupton se amplifikohen si fitimet ashtu edhe humbjet në krahasim me [indeksin] S&P. Çdo gjë mbi një betë tregon paqëndrueshmëri më të lartë se tregu. Një raport i fundit nga Fidelity zbuloi se beta mesatare trevjeçare e Bitcoin-it ndaj S&P-së ishte 2.6.
Së dyti, nuk mund të paramendoj një moment më të papërshtatshëm për të nxitur “inovacionin” financiar sesa tash kur tregjet, ekonomia dhe politika monetare janë kaq të pasigurta.
Mendoni çfarë mund të ndodhë nëse, gjatë muajve ose viteve në vijim, Rezerva Federale duhet të rrisë ndjeshëm normat e interesit për shkak të inflacionit. Tregjet do të binin, siç ndodh gjithmonë kur normat rriten. Kriptoja do të binte edhe më shumë dhe më shpejt. Institucionet financiare (përfshirë një numër bankash fantome) që mbajnë kripto në bilancet e veta mund të hasin në vështirësi, duke shkaktuar ngrirjen e tregjeve të kreditit.
Papritur, po përjetojmë jehonën e vitit 2008. Këtu hyn shqetësimi im i tretë. Mbështetësit e Ligjit Genius thonë se ai do të mbështesë dollarin dhe tregun e bonove të Thesarit. Por, është e lehtë të imagjinohet një situatë e arratisjes drejt sigurisë ku kompanitë e kriptovalutave si, le të themi Tether (që mban më shumë bono të Thesarit të ShBA sesa Gjermania) do të detyrohen të shesin bonot në një treg që bie për të mbuluar kërkesat për shpëtim. Atëherë do të kemi shitje të mbetjeve, rritje të kostove të huamarrjes dhe një situatë tjetër katastrofike ku qytetarët e zakonshëm do të ndihen të detyruar të shpëtojnë spekulatorët.
Por, kësaj here, kjo ndodh pas më shumë se dy dekadash të cinizmit në rritje ndaj politikës. Këtu vjen shqetësimi im i fundit. Çrregullimi financiar nga fundi i viteve ‘90 të shekullit XX, gjatë administratës Clinton. hapi rrugën për krizën e vitit 2008 dhe për humbjen e mbështetjes së punëtorëve për demokratët. Kjo, nga ana tjetër, hapi rrugën për ngritjen e Trumpit.
Trumpi tani ka krijuar skenën për krizën tonë të ardhshme financiare duke mbështetur (dhe, natyrisht, duke tregtuar) kriptovalutat. Çfarë ndodh kur përballemi me kaos financiar dhe me më shumë cinizëm të votuesve ndaj politikës tradicionale, në një kohë kur ekziston më pak vullnet ose mundësi që qeveria të zbusë një krizë? Nuk mbetet më asnjë monedhë dhe asgjë që ka qëndrueshmëri.