Tiranë, 26 tetor, Zhurnal.mk – Shqipëria vijon të tërheqë turistë edhe përmes turizmit të kroçierave, ndërsa Porti i Sarandës mbetet një nga portat kryesore hyrëse për vizitorët e huaj edhe jashtë sezonit veror.
Porti Detar Sarandë informon se kroçiera turistike Oosterdam ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Sarandë, me rreth 1900 turistë të kombësive të ndryshme në bord.
Gjatë qëndrimit në qytetin bregdetar, turistët do të kenë mundësi të vizitojnë Sarandën dhe destinacionet turistike përreth, duke u njohur me bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe atraksionet e zonës.
Mbërritja e kroçierës i shtohet aktivitetit të turizmit detar në Sarandë, duke sjellë më shumë vizitorë dhe mundësi për bizneset lokale.
Saranda është shndërruar vitet e fundit në një nga destinacionet më të kërkuara të turizmit detar në vend, falë pozicionit strategjik, afërsisë me ishullin e Korfuzit dhe ofertës së pasur natyrore e kulturore.
