Armenia, 17 shtator Zhurnal.mk – Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, ka bërë të ditur se negociatat me Rusinë për menaxhimin me koncesion të hekurudhave të vendit të tij po vazhdojnë, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në kryeqytetin Jerevan, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Armenpress, Pashinyan tha se nuk ka pasur asnjë ndryshim në situatën lidhur me këtë çështje dhe se diskutimet po vazhdojnë.
“Kjo është një çështje shumë e ndjeshme. Është pronë e jona dhe ne duhet të kemi mundësinë ta menaxhojmë pronën tonë ashtu siç duam”, tha Pashinyan.
Ai deklaroi se Armenia nuk ka vendosur ndonjë afat për zgjidhjen e çështjes, duke theksuar se po e diskuton atë me qetësi së bashku me çështje të tjera dhe se Jerevani po punon për një zgjidhje “sa më shpejt dhe në mënyrën sa më miqësore të mundshme”.
Rrjeti hekurudhor i Armenisë operohet nga South Caucasus Railëay, një kompani në pronësi të Hekurudhave Ruse, sipas një marrëveshjeje koncesionare 30-vjeçare të nënshkruar në vitin 2008.
Armenia argumenton se marrëveshja e privon vendin nga disa avantazhe konkurruese, ndërsa Moska e ka akuzuar Perëndimin se po e “shantazhon” Jerevanin lidhur me këtë çështje.
Pashinyan tha se, si pjesë e marrëveshjeve që arriti me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë negociatave në kryeqytetin e Kirgistanit më 31 gusht, Jerevani vazhdon të bëjë një bilanc të marrëdhënieve të tij me Moskën për të “parë se nga cilat shtresa përbëhen ato”.
Ai gjithashtu përsëriti qëndrimin e vendit të tij se nuk do të kundërshtonte tërheqjen e bazës ushtarake ruse nga Gyumri, në veriperëndim të Armenisë, nëse Rusia dëshiron ta bëjë këtë, duke deklaruar se baza “nuk ka rëndësi jetike për sigurinë e Armenisë”.
“Nuk ka pasur asnjë rast të vetëm kur ndonjë nga zyrtarët tanë ta ketë ngritur një çështje apo pyetje të tillë me ndonjë zyrtar rus. Nëse ata vendosin ta tërheqin, ne nuk do ta kundërshtojmë”, shtoi ai.
Më 2 shtator, Putin tha se prania e bazës ushtarake ruse është, në fund të fundit, një vendim sovran i Armenisë.
“Nëse Armenia mendon se baza ushtarake ruse nuk është e nevojshme, ne do të largohemi që nesër. Nuk do t’i imponojmë asgjë askujt”, tha ai.
Një ditë më vonë, Pashinyan tha se Armenia nuk e ka ngritur me Rusinë çështjen e tërheqjes së bazës.
