Kryeministri i ri paralajmëron goditje më të gjerë ndaj korrupsionit pas arrestimeve masive

Nga D. V.
A+ A-
Rivendos

Bagdat, 29 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri i ri i Irakut, Ali al-Zaidi ka paralajmëruar vazhdimin e një fushate të gjerë kundër korrupsionit, pasi dhjetëra zyrtarë të lartë dhe deputetë, u arrestuan gjatë operacioneve të zhvilluara në fundjavë, në Zonën e Gjelbër të Bagdadit.

Al-Zaidi deklaroi se kushdo që ka përvetësuar fonde publike duhet t’ia kthejë ato shtetit, duke theksuar se “paratë e popullit duhet t’u rikthehen pronarëve të tyre të ligjshëm”.

Ai nënvizoi se zyrtarët e korruptuar nuk gëzojnë “asnjë lloj imuniteti” dhe la të kuptohet se do të ketë arrestime të tjera, duke e cilësuar operacionin e fundit si “vetëm fazën e parë”.

Sipas autoriteteve, 47 persona u arrestuan në orët e para të ditës së djeshme, pas dëshmisë së ish-zëvendësministrit të Naftës, Adnan al-Jumaili.

Hetuesit kanë sekuestruar deri tani, rreth 85 milionë dollarë para në dorë, si edhe dhjetëra prona, automjete, sasi ari, armë dhe municione.

Disa vëzhgues e konsiderojnë këtë si çështjen më të madhe kundër korrupsionit, në Irak që nga rrëzimi i Saddam Hussein në vitin 2003.

Iraku vijon të përballet me korrupsion të përhapur, veçanërisht në sektorin e naftës.

Ndërkohë, analistët vlerësojnë se fushata mund të shërbejë edhe për të konsoliduar pushtetin e al-Zaidi, i cili mori detyrën rreth gjashtë javë më parë, përmes goditjes së kundërshtarëve politikë.

artikuj të ndërlidhura