Kryeprokurori i Shtetit takohet me familjen e Astrit Deharit, zotohet për zbardhjen e rastit

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, është takuar me familjen e të ndjerit Astrit Dehari, në një takim ku është diskutuar për shqetësimet dhe qëndrimet e familjarëve lidhur me rastin e vdekjes së tij.

Në takim ka marrë pjesë edhe prokurori special, Bekim Kodraliu, i cili njëherësh është prokuror i çështjes së Astrit Deharit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, gjatë takimit Gashi ka dëgjuar nga afër shqetësimet e familjes Dehari, duke theksuar rëndësinë që kjo çështje të trajtohet me seriozitet, profesionalizëm dhe në përputhje me ligjin.

Kryeprokurori i Shtetit ka ritheksuar se zbardhja e plotë e rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit përbën obligim institucional.

Ai ka deklaruar se do të angazhohet maksimalisht, brenda kompetencave dhe autorizimeve ligjore, që rasti të trajtohet me profesionalizëm dhe të marrë epilog përfundimtar.

“Kjo çështje penale duhet të trajtohet me profesionalizëm, me qëllim që të zbardhet e vërteta rreth këtij rasti dhe i njëjti të marrë epilog përfundimtar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në fund, Prokuroria ka theksuar përkushtimin për trajtimin e çështjeve penale me përgjegjësi, paanshmëri dhe transparencë, në mënyrë që familjarët e viktimave të marrin përgjigje institucionale dhe drejtësi.

artikuj të ndërlidhura