KSHZ-IFES: Bashkëpunim i përqëndruar në prioritetet kyçe strategjike të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve

Nga B.M
568 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 shkurt – Anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) kanë mbajtur takim pune me përfaqësues të Fondacionit ndërkombëtar për sisteme zgjedhore (IFES), në të cilin u konfirmua gatishmëria për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në kuadër të programit “Mbështetje për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”.

Siç njoftoi KSHZ-ja, drejtoresha e Zyrës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Joana Kosma, theksoi se bashkëpunimi me KSHZ-në përmes projektit të Qeverisë së Zvicrës “Programi për mbështetje për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut” deri tani ka rezultuar me arritje konkrete dhe të matshme, veçanërisht në zhvillimin e zgjidhjeve të TI-së, përforcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e proceseve zgjedhore dhe rritjen e besimit të qytetarëve në to.

“Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Bojan Mariçiq tha se gjatë mandatit të tij, përparësi do të ketë përforcimi i kredibilitetit dhe dukshmërisë së KSHZ-së, si dhe transparenca e saj ndaj qytetarëve. Në këtë drejtim, ai tha se përbërja e re e Komisionit do të vazhdojë me proceset e reformës, me një fokus qartë të përcaktuar në prioritetet kryesore strategjike, mes të cilave u theksua nevoja për të vënë në funksion Qendrën për trajnim të vazhdueshëm të KSHZ-së. Mariçiç theksoi se Qendra për trajnim tashmë ka bazë të vendosur ligjore dhe se në periudhën e ardhshme, në bashkëpunim me IFES-in, do të bëhen përpjekje për funksionimin e saj të plotë operacional, duke përfshirë edhe sigurimin e stafit të duhur”, thuhet në kumtesë.

Nënkryetari i KSHZ-së, Abdush Demiri, gjatë diskutimit u përqëndrua në rëndësinë e resurseve njerëzore dhe edukimin e vazhdueshëm si element kyç për qëndrueshmëri të reformave.

“Anëtarët e Komisionit, të cilët morën pjesë edhe në përbërjen e mëparshme të KSHZ-së, në takim i theksuan përvojat e deritanishme nga bashkëpunimi me IFES-in, duke e cekur rëndësinë e mbindërtimit mbi rezultatet e arritura dhe sigurimit të vazhdimësisë në proceset reformuese. Në takim bashkërisht u konkludua se partneriteti midis KSHZ-së dhe IFES-it mbetet strategjik në periudhën e ardhshme, me qëllim përmirësimin e proceseve zgjedhore dhe përforcimin e besimit të qytetarëve në sistemin zgjedhor”, njofton KSHZ-ja. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër