Shkup, 26 nëntor – Edhe pse më shumë se një e treta e sipërfaqes së Maqedonisë së Veriut është tokë bujqësore, sërish prodhohet shumë më pak grurë dhe prodhime të tjera bujqësore në vend. Kjo kohëve të fundit si pasojë e mungesës së klasës punëtore, ku të rinjtë largohen nga vendi dhe nuk ka kush t’i zëvendësojë. Por, sipas buqëve që kanë vendosur të qëndrojnë në vend mungesa e prodhimeve nuk ndërlidhet vetëm me mungesën e klasës punëtore, por ka të bëjë edhe me mungesën e ndihmës në formë të subvencioneve nga shteti. Në periudhën që vijon do të ketë shumë raste të keqpërdorimeve lidhur me mënyrën e ndarjes së tokës bujqësore, deklaroi i pari i qeverisë, Hristijan Mickoski, shkruan Zhurnal.
Tokat bujqësore iu takojnë bujqve, jo atyre që nuk e shohin bujqësinë si prioritet –
Në periudhën që vijon do të ketë shumë raste të keqpërdorimeve lidhur me mënyrën e ndarjes së tokës bujqësore, deklaroi numri një i qeverisë, Hristijan Mickoski në konferencën për media pas takimit me përfaqësuesit e Asociacionit të bankave të Maqedonisë.
Në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve lidhur me përforcimin e kontrolleve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave për shpërndarjen e tokës bujqësore, Mickoski tha se bëhet fjalë për një nga përcaktimet strategjike të kësaj qeverie.
“Është një nga përcaktimet strategjike të kësaj qeverie dhe mendoj se në periudhën që vijon do të ketë shumë raste të keqpërdorimeve në lidhje me atë se si është ndarë ajo tokë bujqësore dhe tani e tutje ajo tokë duhet të shkojë aty ku duhet, ajo është e bujqve, jo e atyre për të cilët bujqësia është punë dhe prioritet dytësor, terciar apo tjetër”, tha Mickoski.
I pyetur për të komentuar akuzat nga ana e LSDM-së për Propozim-buxhetin për vitin 2025 i cili është në procedurë parlamentare dhe se kinse Qeveria nuk investon fare në infrastrukturë, por vetëm i përfundon projektet që i ka trashëguar, Mickoski tha se dikush duhet t’i përfundoj ato projekte, sepse siç tha, “do të ishte e papërgjegjshme nëse Qeveria thoshte ky është projekt i LSDM-së dhe ne nuk do të punojmë”.
“Opozita tani duhet të thotë diçka, nuk mund t’ua ndalojmë të flasin, por atë që e thotë opozita është krejtësisht e pavërtetë. Bëhet fjalë për më shumë se 50 miliardë denarë investime kapitale. Përndryshe po, dikush duhet t’i përfundojë ato projekte. A thua duhet të ndodhë e njëjta gjë që ndodhi me ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër, pra shtatë vite të mos lëvizin asnjë milimetër. Pse? Për shkak se është nisur nga Qeveria e OBRM-PDUKM-së, tani ne duhet të themi ‘jo, ky është projekt i LSDM-së dhe nuk do të punojmë në të’. Do të ishte shumë e papërgjegjshme të sillemi kështu, prandaj vendosëm që t’i përvjelim mëngët dhe të përfundojmë gjithçka që është nisur dhe në ndërkohë të zhvillojmë projekte të cilat më pas t’i aplikojmë si të tilla”, tha Mickoski.
Sektori i bujqësisë ndikohet rëndë pas çdo krize ekonomike-
Sektori i bujqësisë është njëri ndër sektorët më pak të pëlqyer nga të rinjtë, pothuajse askush prej tyre nuk dëshiron të merret me punë bujqësore, kjo përshtypje e krijuar nuk ka ardhur vetvetiu por si rezultat i asaj që kanë parë nga paraardhësit e tyre se sa pak produktive është kjo punë, shumë angazhim pak të ardhura. Pra, shtetit tonë i mungojnë politikat stimuluese për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, që në situata të tilla si kjo e luftës në Ukrainë vendi përballet me deficit të madh të produkteve të ndryshme ushqimore.
Këtë e kanë pohuar edhe autoritetet të cilat kanë treguar se po përballemi me krizën më të vështirë deri tani, por vazhdimisht apeluan qytetarët që të mos shqetësohen dhe siguruan se produktet bazë, bukë, miell, qumësht dhe vaj ulliri, do të ketë. Miratuan Plan Kombëtar për prodhimin e ushqimit dhe e krijuan Fondin intervenues. U realizua paketë masash për uljen e çmimeve të produkteve bazë, si dhe për stimulimin e prodhimit. Edhe përkundër faktit të krijimit të paketës për uljen e çmimeve të produkteve bazë, sërish dhe ende çmimet janë tejmase të larta dhe qytetarët janë jashtëzakonisht të pakënaqur.
Pra, kemi të bëjmë me një sektor që kudo që shfaqet ndonjë krizë përcillet edhe në vendin tonë përshkak të mungesës së prodhimeve vendore dhe masës së lartë të importit prej jashtë. Sërish e shohin si normale edhe ndryshime dhe propozimet e draft ligjeve përmes të cilave toka bujqësore të shndërrohet në vend për vendosjen e paneleve fotovaltike. Do të thotë në vend të përkrahjes dhe motivimit për këta pak bujq që kanë mbet hartohen ligje për të demotivuar dhe penguar edhe më shumë në punën e tyre. /Zhurnal.mk

