Meksiko, 18 maj, Zhurnal.mk – Kuba ka deklaruar se synon të ushtrojë të drejtën e saj për vetëmbrojtje, në rast të një sulmi ushtarak nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njoftoi dje në mbrëmje Ministria e Jashtme kubane.
“Fushata anti-kubane që synon të justifikojë, pa asnjë arsye, sulmin ushtarak ndaj Kubës po intensifikohet nga ora në orë, me akuza gjithnjë e më të pabazuara”, shkroi në platformën X zëvendësministri i Jashtëm, Carlos Fernández de Cossio.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë agresori. Kuba është vendi nën sulm, që vepron në përputhje me parimin e vetëmbrojtjes”, shtoi ai.
Ambasada e Kubës në Uashington dhe Ministria e Jashtme në Havanë gjithashtu rikonfirmuan në X, të drejtën e Kubës për vetëmbrojtje.
Ambasada deklaroi se, përmes preteksteve dhe gënjeshtrave, “përgatitjet logjike” për një sulm të mundshëm po paraqiten si diçka e jashtëzakonshme.
Këto deklarata vijnë pas një raporti të portalit amerikan “Axios” mbi pretendime për përgatitje të mundshme të Kubës për përdorimin e dronëve kundër objektivave në SHBA.
“Axios”, duke cituar burime të inteligjencës, raportoi se Kuba ka blerë më shumë se 300 dronë ushtarakë dhe së fundmi ka nisur diskutime për përdorimin e tyre në sulme ndaj bazës amerikane në Gjirin e Guantanamos në Kubë, ndaj anijeve ushtarake amerikane dhe madje edhe ndaj Key West në Florida, rreth 170 kilometra nga Havana.
Sipas “Axios”, një zyrtar i lartë amerikan ka deklaruar se këto të dhëna mund të shërbejnë si një “pretekst për veprime ushtarake amerikane” dhe reflektojnë perceptimin e administratës së presidentit Donald Trump për Kubën si një kërcënim.
Zyrtari përmendi gjithashtu praninë e raportuar të këshilltarëve ushtarakë iranianë në Havana.
Megjithatë, “Axios” thekson gjithashtu se zyrtarët amerikanë nuk besojnë se Kuba po planifikon aktivisht sulme ndaj interesave të SHBA-së.
Sipas informacioneve të inteligjencës amerikane, përfaqësues ushtarakë kubanë kanë diskutuar skenarë për përdorimin e dronëve në rast të një konflikti të mundshëm.
Marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të tensionuara që nga revolucioni i vitit 1959.
Gjatë administratës Trump, ato janë përkeqësuar më tej, me sanksione të reja dhe një embargo nafte që kanë rritur presionin ndaj Kubës për ndryshime ekonomike dhe politike.
