Ish-këshilltari i Zelensky lirohet me kusht mes hetimeve për korrupsion

Nga D. V.
1,106 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kiev, 18 maj, Zhurnal.mk – Andrii Yermak, ish-këshilltari i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, është liruar sot me kusht, pasi qëndroi disa ditë në paraburgim – në kuadër të një hetimi për dyshime për pastrim parash.

Gjykata e Lartë Kundër Korrupsionit e Ukrainës vendosi lirimin e tij pas pagesës së një garancie prej rreth 2,72 milionë eurosh. Sipas kushteve të lirimit, atij i ndalohet largimi nga vendi.

Pamje të publikuara nga media lokale treguan Andrii Yermak duke dalë me kostum nga qendra e paraburgimit në kryeqytet, Kiev, sot në mëngjes.

Një gjykatës, vendosi më herët që ai të mbahej në paraburgim për një periudhë fillestare prej 60 ditësh, me mundësi lirimi me kusht.

Ish-kreu i zyrës së presidentit ukrainas, përballet me akuza për pastrim parash.

Ai dhe pesë të dyshuar të tjerë akuzohen se kanë qenë pjesë e një grupi të organizuar që ka pastruar rreth 9 milionë euro, të lidhura me një projekt ndërtimi luksoz pranë Kievit.

Andrii Yermak i ka mohuar kategorikisht akuzat.

Sipas medias lokale, më herët Yermak deklaroi se nuk kishte mundësi financiare për të paguar garancinë, ndërsa shuma është mbledhur nga mbështetës të tij gjatë ditëve të fundit.

Deri në dorëheqjen e tij vitin e kaluar, Yermak konsiderohej si një nga figurat më të fuqishme në Ukrainë dhe si bashkëpunëtori më i afërt i presidentit Volodymyr Zelensky, duke luajtur rol në negociatat lidhur me luftën me Rusinë.

Në Kiev janë përhapur prej kohësh zëra se Yermak është i përfshirë në ndërtimin e një rezidence në lagjen elitare “Dynastia”, në qytezën Kozyn pranë kryeqytetit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër