Kërcënimet dhe konfliktet për kujdestarinë e djalit të mitur kishin shoqëruar Arlinda Zekajn para se të vritej nga kunati i saj, Albert Sylaj. Një bisedë mes saj dhe ish-bashkëshortit, Jeton Sylaj, zbulon tensionet dhe presionin lidhur me çështjen e kujdestarisë. Në komunikimin mes tyre, Arlinda këmbëngulte se djali duhej të jetonte me të ëmën, ndërsa ish-bashkëshorti i përgjigjej me tone kërcënuese se nuk do ta lejonte kurrë ta merrte fëmijën.
Gjatë bisedës, Jeton Sylaj i thotë: “Kurrë nuk ke për ta marrë”, ndërsa më tej shton: “Besen e Zotit po ta jap dhe ti futi gishtat në sy, nuk ke për ta pasur”. Arlinda e pyet disa herë nëse është i sigurt për qëndrimin e tij, ndërsa ai e mbyll bisedën me një tjetër paralajmërim: “Prej këtij minuti e humbe privilegjin për të folur me të”.
Biseda mes tyre:
Arlinda Zekaj: Me nënën e vet ka nevojë të rrijë djali, ajo është më kryesorja. Edhe rri me nënën e vet.
Jeton Sylaj: S’ka në traditën shqiptare që nëna e ka marrë djalin, veç kur nuk ka dashur babai. Kurrë nuk ke për ta marrë.
Arlinda Zekaj: Ma gjej edhe ti një nënë që nuk e ka fëmijën, që nuk e ka, as në Amerikë, as në Kosovë, as në të gjithë botën.
Jeton Sylaj: Ja unë ta gjej, ti je. Ti je që nuk e ki.
Arlinda Zekaj: Unë? Jo more, ngadalë.
Jeton Sylaj: Nuk ke për t’i pasur, besën e Zotit po ta jap dhe ti futi gishtat në sy, nuk ke për ta pasur.
Arlinda Zekaj: A je i sigurtë? A je i sigurtë?
Jeton Sylaj: Po.
Arlinda Zekaj: Në rregull vazhdo kështu.
Jeton Sylaj: Prej këtij minuti e humbe privilegjin për të folur me të, besën po ta jap.
Si ndodhi ngjarja:
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026, rreth orës 21:00, në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi ishte kthyer në banesën e saj e shoqëruar nga Policia e Kosovës. Sipas Prokurorisë, ajo dyshohet se u vra me një mjet të fortë nga kunati i saj, Albert Sylaj, i cili u arrestua mbrëmjen e 27 tetorit në Deçan.
Vrasja ndodhi nëntë ditë pas një vendimi gjyqësor që i kishte mundësuar Arlindës kthimin në shtëpi, tri ditë pas ankesës së saj për dështimet institucionale dhe dy ditë pas paralajmërimit të një zyrtari policor për nevojën e marrjes së masave shtesë të sigurisë.
