Prishtinë, 22 prill, Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur përsëri për çështjen e presidentit duke thënë se nëse vendi shkon në zgjedhje Kosovës këto të fundit do t’i kushtojnë së paku 10 milionë euro, raporton Ekonomia Online.
“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja së paku 10 milionë euro ato kushtojnë, nëse shkojmë në zgjedhje të reja për shkak se nuk do të funksionojë Kuvendi do ti humbim dhjetëra milionë euro si shtet, dhe nëse shkojmë në zgjedhje të reja nuk do të kemi zgjidhje, meqenëse sërish do të na duhej të shkojmë në zgjedhje të reja, e pas atyre sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja meqenëse unë nuk e di si mund t’i kemi 80 deputet është e domosdoshme që të merremi vesh kam qenë shumë bujar me opozitën…..u takova me LDK-në, PDK-ja refuzoi takimin, thjeshtë nuk po më duken të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje”, ka thënë Kurti.
“Pas aktgjykimit u takova me LDK, PDK-ja refuzoi që të takohemi. LDK-së ia kam bërë dy oferta, njërën për bashkëqeverisje, tjetrën për rrokadë në Kryesinë e Kuvendit. Pastaj, PDK-së për rrokadë në kryesinë e Kuvendit, po thjesht nuk po më duken të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje dhe ky është një dëm i madh për shtetin e Kosovës”.
Kurti tha se “zhurmat e piskamat”, duke aluduar për opozitën, nuk po e dëmtojnë Vetëvendosjen.
“Tema kryesore para një viti ka qenë qysh nuk bën Albulena Haxhiu të bëhet kryetare e Kuvendit sepse është konfliktuoze, përçarëse dhe është aq e rrezikshme saqë do të dëmtohet pakthyeshëm funksionimi i institucioneve. E patën linçuar dhe stigmatizuar gruan më të votuar të legjislaturës së nëntë. Ku jemi sot? Albulena Haxhiu është kryetare e Kuvendit, ajo është edhe u.d, ajo s’është as konfliktueze dhe as përçarëse. Prandaj, të gjitha këto zhurma dhe piskama që i dëgjoni me ankesa të paarsyeshme ndaj Lëvizjes Vetëvendosje nuk po na bëjnë dëm neve, po i bëjnë dëm shtetit, jo neve”.
Krahas thirrjes për propozim të një kandidati konsensual për President, Kurti ia bëri me dije partive opozitare se nuk i kanë numrat as për 30 nënshkrimet e nevojshme për të propozuar një kandidat.
“Mazhoranca i ka 66 deputetë. Partisë që i ka 15 deputetë i kam ofruar që të bëhet kryetari i tyre zëvendësi i imi, që i bie që në mungesë timen ai t’i udhëheqë mbledhjet e qeverisë, dhe katër ministri. Pra, i kam ofruar dyfish më shumë se partisë Guxo, e cila ka garuar me mua e partisë që ka garuar kundër meje i kam ofruar dyfish më shumë”.
Kurti foli edhe për Glauk Konjufcën, duke thënë se le ta gjejnë opozita një njëri më të mirë se Glauk Konjufca.
“U tha që nuk bën Vetëvendosja t’i ketë të tri pozitat. Po ja pra s’po e kemi kryetarin e Kuvendit. Jo po Vetëvendosja s’duhet ta ketë presidentin. Po le të ma gjejnë një njeri më të mirë se Glauk Konjufca, që i ka mbi 318 mijë vota. Kur dikush thotë që s’bën Vetëvendosja është duke thënë që s’bën Glauku. Dhe ju të gjithë e dini që opozita ka mendim më të mirë për Glaukun sesa për mua. Pse nuk e votojnë Glaukun? Pse nuk propozuan ata asnjë emër. E di që s’i kanë numrat as për të aplikuar”, tha Kurti.
