Kurti: Falënderoj koalicionin shqiptar për kontributin në autostradën Shkup-Bllacë

Nga D V
666 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 gusht, Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e fillimit të punimeve për autostradën Shkup–Bllacë, ka vlerësuar rëndësinë e projektit për lidhjen infrastrukturore dhe ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Kurti tha se autostrada, e cila përfshin pesë tunele, tetë ura dhe katër galeri, do ta forcojë ndjeshëm lidhjen mes dy vendeve dhe do ta lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave.

Ai theksoi se projekti është pjesë e rrjetit evropian TEN-T dhe se përmes Kosovës e afron Shkupin me Prishtinën dhe më tej me rrjetet dhe tregjet evropiane.

Në fjalën e tij, Kurti përmendi edhe projektet e tjera infrastrukturore që synojnë lidhjen e Kosovës me Maqedoninë e Veriut, përfshirë Linjën 10 hekurudhore dhe projektin Prizren–Tetovë përmes tunelit.

Në fund, kryeministri kosovar falënderoi Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë kontribuuesit për nisjen e projektit, ndërsa një falënderim të veçantë ia adresoi koalicionit të partive shqiptare, për të cilin tha se ka dhënë kontribut në realizimin e projekteve në shërbim të qytetarëve dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

“Një falënderim i veçantë shkon edhe për koalicionin e partive shqiptare, për kontributin e tyre në punë të mira e të mbara në shërbim të qytetarëve dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, deklaroi Kurti.

Punimet për autostradën Shkup–Bllacë nisën sot, në një projekt të cilësuar me rëndësi strategjike për lidhjen e Maqedonisë së Veriut me Kosovën dhe korridoret evropiane.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër