Prishtinë, 01 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, si dhe integrimin në organizatat evropiane të standardizimit dhe në kornizën evropiane të akreditimit, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka thënë se këto hapa do të mundësonin lëvizjen më të shpejtë të mallrave dhe uljen e kostove ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Kreu i Qeverisë ka deklaruar se, sipas raporteve vjetore të Komisionit Evropian, Kosova nuk ka shënuar kthim prapa në asnjërën nga 33 fushat e politikave, ndërsa përparimi është vlerësuar nga i kufizuar deri në të mirë.Kurti ka rikujtuar se në dhjetor bëhen katër vjet nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai ka vlerësuar se, bazuar në meritë, Kosova i plotëson kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
“Të nderuar gazetarë, në takimin tonë i kërkova presidentes von der Leyen anëtarësimin e Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, ku tashmë janë anëtarësuar tre nga fqinjët tanë, që mallrat të lëvizin më shpejt dhe me kosto më të ulët ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Kërkova gjithashtu integrimin e Kosovës në organizatat evropiane të standardizimit dhe në kornizën evropiane të akreditimit. Sot Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor jashtë marrëveshjes evropiane për njohjen e ndërsjellë të akreditimit, ndonëse ne tashmë i zbatojmë standardet evropiane me kosto shtesë për bizneset tona”, tha ai.
“Hapja e këtyre dyerve do të na shndërronte harmonizimin tonë me rregullat e BE-së në qasje reale në tregun unik. Kosova ka treguar se çfarë mund të bëjë. Me më shumë dyer të hapura mund të arrijë edhe më shumë. Në raportet vjetore të Komisionit, Kosova nuk ka shënuar kthim mbrapa në asnjërën nga 33 fushat e politikave, me përparim që varion nga i kufizuar deri në të mirë. Në dhjetor mbushen katër vjet që kur Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Bazuar në meritë, Kosova i plotëson kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Natyrisht, sfida ka gjithmonë dhe në këtë botë të re nuk mungojnë sfidat e reja. Por përparimi ynë është i qartë. Zonja presidente, llogarisim në mbështetjen tuaj që të flisni hapur për nevojën e Kosovës që t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe që t’i bëni thirrje Këshillit të kërkojë opinionin e Komisionit për aplikimin tonë”, tha Kurti.
