Kurti kujton Bunjakun: S’do heqim dorë, të gjithë do marrin dënimin e merituar

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 24 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar sot rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Përmes një postimi me rastin e përvjetorit të ngjarjes, Kurti ka thënë se Bunjaku ra në krye të detyrës, duke e cilësuar atë si “hero të Kosovës”.

“Është e vërtetë, ata na kanë bërë dëm e shkaktuar vuajtje, por ne kemi fituar. Shteti ynë i pavarur, Republika e Kosovës, ka ngadhënjyer mbi agresionin dhe krimin, heroi mbi terroristët”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri e ka cilësuar grupin e armatosur që kreu sulmin në Banjskë si të organizuar, drejtuar dhe financuar nga Beogradi, ndërsa ka përmendur Milan Radoiçiqin si personin që, sipas tij, i printe këtij grupi.

Kurti ka deklaruar se qëllimi i sulmit ishte konflikti i armatosur dhe gjakderdhja në territorin e Kosovës, si dhe aneksimi i veriut të vendit.

“Grupi terrorist paraushtarak i organizuar, dirigjuar dhe financuar nga Beogradi, së cilit i printe kryekrimineli Millan Radoiçiq, dështoi në sulmin tinzar që kishte për qëllim konflikt të armatosur e gjakderdhje në manastir ortodoks të shekullit XIV, dhe mandej aneksimin e veriut të Kosovës”, ka shkruar ai.

Ai ka vlerësuar punën e institucioneve të sigurisë, inteligjencës dhe institucioneve të tjera shtetërore për përballimin e sulmit.

Në lidhje me përgjegjësit e sulmit, Kurti ka thënë se tre persona janë vrarë gjatë aksionit, ndërsa tre të tjerë ndodhen në burg që nga ajo ditë. Ai ka shtuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë kërkimin e personave të tjerë të përfshirë.

“Shteti ynë asnjëherë nuk do të heq dorë në kërkim të tyre derisa të gjithë të kenë marrë gjykimin e drejtësisë dhe dënimin e merituar”.

Ai shtoi se në Banjskë, rruga në vendin ku ndodhi sulmi mban sot emrin e Afrim Bunjakut.

“Lavdi jetës dhe veprës së rreshterit, heroit Afrim Bunjakut!”, ka shkruar Kurti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër