Kurti për presidentin: Nuk kemi emër të ri, duhet të kemi takime

Nga Xh M
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 30 shtator Zhurnal.mk – Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas mbledhjes së Qeverisë, ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe mundësinë e një marrëveshjeje politike mes partive.

Kurti tha se janë të domosdoshme takimet e reja dhe bisedimet me partitë, duke theksuar se Kosova nuk ka nevojë për destabilitet të mëtejshëm institucional.

Ai iu referua edhe dakordimit të mëparshëm me 99 vota, duke thënë se nuk do të ishte e mençur që Kosova të kalojë në rivalitete të ashpra politike, të cilat, sipas tij, do t’u shërbenin kundërshtarëve të Kosovës.

Kurti tha se është optimist se mund të arrihet përsëri një dakordim.

“Duhet të ketë takime, bisedime e pajtime. Unë e kam parë që është e mundshme, ekziston rruga në të cilën mund të ecim bashkë”, deklaroi ai.

Sa i përket kandidatit për president, Kurti bëri të qartë se LVV-ja vazhdon t’i qëndrojë marrëveshjes politike dhe kandidaturës së Bekim Sejdiut.

Sipas Kurtit, Sejdiu është tërhequr pasi gjashtë deputetë të LDK-së e kanë shkelur marrëveshjen.

“Nga pikëpamja e LVV-së, ne kemi marrëveshje politike dhe besoj që duhet ta respektojmë atë. Nuk kemi emër të ri ose tjetër”, deklaroi Kurti.

Kurti shtoi se, nëse në të ardhmen do të ketë një kandidat tjetër, për këtë do të njoftohet publiku.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër