Prishtinë, 13 tetor, Zhurnal.mk – Sot, është mbajtur eventi përmbyllës i projektit PIAKOS, me temën “Nga e drejta në veprim”, ku janë prezantuar aktivitetet dhe rezultatet e projektit në fushën e regjistrimit të pronës.
Në këtë ngjarje ka marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në fjalën e tij ka thënë se regjistrimi i pronave në emër të të dy bashkëshortëve është rritur 300-fish brenda më pak se një dekade, ndërsa ka theksuar rëndësinë e dokumentacionit pronësor për sigurinë juridike, mirëqenien dhe dinjitetin e familjeve, raporton KosovaPress.
“Bashkëpunimi i qeverisë sonë me Qendrën për Avokim dhe Trajnime, ATRC, nëpërmjet programit PIAKOS, është me të vërtetë një vlerë e shtuar, sepse ajo nuk u ndal te fushata e informuese, por u zbatua në terren me qytetarët, përmes mbështetjes direkte në 16 komuna anembanë Kosovës, me ç’rast meritë të veçantë kanë shumë aktivistë të cilët punuan në këtë drejtim dhe ku përfitues janë posaçërisht gratë, të cilat arritën të rregullojnë dokumentacionin pronësor, procedurat e trashëgimisë te noterët dhe shërbimet gjeodezike. Për më pak se sa një dekadë, është 300-fishuar regjistrimi i pronave nga të dy bashkëshortët. Në vitin 2016, kanë qenë rreth 100 prona, në tërë Kosovën, që janë regjistruar në emrin e të dy bashkëshortëve të një çifti, dhe sot që po flasim, kjo shifër është rreth 31,000. Pra, kemi një rritje 300-fish të numrit të regjistrimit të pronave në emër të të dy bashkëshortëve”, tha ai.
Drejtori ekzekutiv i ATRC-së, Kushtrim Kaloshi, ka thënë se e drejta e pronës nuk lidhet vetëm me dokumentet dhe procedurat administrative, por edhe me sigurinë familjare, pavarësinë ekonomike dhe barazinë e qytetarëve.
“Kur flasim për të drejtën e pronës, nuk flasim thjesht për dokumente nuk flasim për parcela, nuk flasim për procedura administrative. Është çështja është më e thellë se kaq. Flasim për sigurinë e një familje, flasim për pavarësinë ekonomike të një familje, të një gruaje, mundësitë e një të riu, dhe mbi të gjitha, për dinjitetin dhe barazinë e një qytetari. Edhe këto i kemi parë nga aktivitetet dhe përvoja jonë në terren. Për më shumë qytetarë të Kosovës, veçanërisht për gratë, komunitetet jo shumicë dhe grupet e cenueshme, realizimi i të drejtave pronësore vazhdon të përballet me mungesë të informacionit, dhe për këtë arsye edhe kemi bërë fushatën e informimit dhe vetëdijësimit”, u shpreh ai.
Kurse menaxherja e projektit PAKOS në ATRC, Odeta Noks, ka bërë të ditur se gjatë zbatimit trevjeçar të projektit janë mbështetur mbi 7 mijë familje në Kosovë, ndërsa më shumë se 600 zyrtarë janë trajnuar për çështjet që lidhen me të drejtat pronësore.
“Projekti ka zgjatur tri vjet dhe ka pasur një buxhet prej 3.2 milionë dollarësh, shumë e cila është shpërndarë në organizatat e shoqërisë civile, gjithashtu edhe në biznese të ndryshme të Kosovës, të cilat kanë marrë pjesë në implementimin e këtij projekti. Pra, kanë qenë më shumë se 7,000 familje, përfshirë edhe përfaqësues të shoqatave të të verbërve dhe shurdhmemecëve të Kosovës. 50% e këtyre familjeve, jemi siguruar që të kemi kuotë gjinore, pra më shumë se 50% kanë qenë gra. Kemi pasur një shifër shumë të lartë të aktiviteteve informuese, e cila ka mbërritur në 1,800 aktivitete informuese”, ka thënë Odeta Noks, menaxhere e projektit PAKOS në ATRC.
Në kuadër të aktivitetit është shfaqur edhe dokumentari “Bëje tënden. Regjistroje pronën”, përmes të cilit janë prezantuar funksionet, aktivitetet, përfituesit dhe rezultatet e projektit.
