Prishtinë, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në tryezën e diskutimit me temën “Shëndeti mendor”, të organizuar nga Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me UNICEF-in, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka theksuar se mirëqenia dhe shëndeti mendor i fëmijëve dhe të rinjve duhet të jenë pjesë e rëndësishme e politikave shtetërore, duke vlerësuar se për të ardhmen e vendit dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor nuk mund të flitet pa u trajtuar edhe kjo çështje.
Ai ka rikujtuar se në gusht është lansuar raporti “Hartëzimi i shërbimeve të shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë”, i realizuar nga UNICEF-i në bashkëpunim me Institutin e Psikologjisë në kuadër të Universitetit të Prishtinës.
Sipas tij, raporti ka ofruar një pasqyrë të gjendjes dhe rekomandime për avancimin e shërbimeve të shëndetit mendor në Kosovë.
“Pas lansimit, nga UNICEF-i kam kërkuar që të mblidhemi përsëri për të reflektuar së bashku mbi gjetjet, për të diskutuar në thelb rekomandimet dhe mbi të gjitha për t’i përcaktuar hapat që duhet t’i ndërmarrim si shtet për të avancuar agjendën e shëndetit mendor në Kosovë. Prandaj, takimi i sotëm duhet të na çojë nga evidenca te veprimi. Tashmë kemi një dokument, mos e të qartë që t’i kuptojmë sfidat dhe nevojat. Përgjegjësia jonë është të përcaktojmë se ku duhet t’i përqendrojmë përpjekjet tona dhe cilat masa kërkojnë për veprim prioritar dhe si mund të punojmë për të ndërtuar një sistem më të qëndrueshëm e më të qasshëm për mbështetjen e shëndetit mendor”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se shëndeti mendor nuk është përgjegjësi vetëm e një sektori apo institucioni, por kërkon bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe sektorëve të ndryshëm.
“Shëndeti mendor nuk është dhe nuk mund të jetë përgjegjësi vetëm e një sektori apo një institucioni. Ai lidhet me shëndetin, me mjedisin ku ku sojnë fëmijët, me familjet ku rriten ata, me shërbimet sociale dhe shëndetësore që i mbështesin, me sigurinë, komunitetin ku jetojnë dhe me mundësinë që të krijojnë për ta. Pikërisht për këtë arsye sot jemi së bashku përfaqësues të sektorëve dhe institucioneve të ndryshme dhe përgjigjja jonë po ashtu duhet të jetë sa më e integruar”, është shprehur ai.
Kryeministri ka përmendur edhe disa nga masat e ndërmarra nga Qeveria gjatë mandatit të saj, përfshirë shtesat për fëmijët, mbështetjen për nënat lehona, programin për intervenimin e hershëm për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe mundësitë për fuqizimin dhe punësimin e të rinjve.
Ai ka përmendur edhe progresin në mbijetesën e fëmijëve, duke thënë se vdekshmëria neonatale ka rënë për 27 për qind që nga viti 2020, ndërsa përfshirja e fëmijëve në edukimin në fëmijërinë e hershme është më shumë se dyfishuar.
“Progres i rëndësishëm është shënuar edhe në mbijetesën e fëmijëve, me vdekshmërinë neonatale që ka rënë nga 27% në vitin 2020, ka rënë me 27% që nga viti 2020, ndërsa përfshirja e fëmijëve në edukimin në fëmijërinë e hershme është më shumë se dyfishuar. Por mirëqenia dhe shëndeti mendor duhet të jenë pjesë e pandashme e këtij investimi në fëmijët dhe të rinjtë”, ka deklruar Kurti.
Kurti ka thënë se ambicia e Qeverisë është ndërtimi i një sistemi që nuk ndërhyn vetëm në raste krizash, por investon edhe në parandalim dhe identifikim të hershëm.
“Ambicia jonë është e qartë: ta ndërtojmë një sistem i cili jo vetëm që reagon në kriza, por paraprakisht investon në parandalim, identifikim dhe mbështetje të hershme. Një sistem në të cilin fëmijët, të rinjtë dhe familjet e tyre e dinë se ku do të drejtohen dhe ku mund të marrin mbështetjen e duhur në kohën e duhur. Për të arritur këtë, duhet të shohim me kujdes se si ta forcojmë bashkëpunimin ndërmjet sektorëve të shëndetësisë, arsimit, shërbimeve sociale, drejtësisë dhe sektorëve të tjerë, si t’i forcojmë kapacitetet profesionale dhe si të sigurojmë që mbështetja të jetë e qasshme për fëmijët dhe të rinjtë kudo që jetojnë dhe kudo që ata kanë nevojë”, ka deklaruar Kurti.
Kurse, doktoresha Zeinab Hijazi udhëheqëse globale për shëndetin mendor në UNICEFka thënë se Kosova njëjtë sikurse edhe vendet e tjera në botë po ka vështirësi sa i përket gjendjes mendore të qytetarëve.
“Kosova po ka vështirësi sikurse në vendet e tjera nëpër botë që tregohet nga anketimet që njerëzit jetojnë në kushte të gjendjes mendore dhe adoleshentët një në shtatë kanë probleme mendore. 18 deri në 29 vjeç problem kryesor që na del është vetëvrasja dhe ka prind të cilët kërkojnë ndihmë të profesionistëve dhe mundohen, por kanë shumë pak mundësi për të ofruar dhe diagnoza në vetvete nuk na tregon sse si po ia del personi dhe dikush me probleme mendore mundet me pas edhe jetë të përmubushur dhe një person i ri mund të ketë shqetësime të mëdha gjatë kohës që është në shkollë dhe gjatë kohës që mundohet me imagjinu të ardhmen. Problemet psikologjike nuk vijnë vetëm nga brenda personit, por edhe nga kushtet në të cilat rriten njerëzit, përfshirë varfërinë, pabarazinë, dhunën, diskriminimin dhe mungesën e ndjenjës së përkatësisë dhe mundësive. Këta faktorë socialë ndikojnë drejtpërdrejt në themelet e mirëqenies në çdo shoqëri, ndërsa sot ndikimi i tyre shtohet edhe nga jeta digjitale, ndryshimet klimatike dhe krizat e njëpasnjëshme”, ka thënë ajo.
Ndër të tjera, përfaqësuesja e UNICEF-it ka ngritur shqetësimin edhe për nivelin e ulët të investimeve në shërbimet e shëndetit mendor, duke iu referuar të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sipas të cilave qeveritë shpenzojnë mesatarisht rreth dy për qind të buxheteve të tyre shëndetësore për këtë fushë.
Ajo ka vënë në pah edhe urgjencën e trajtimit të kësaj çështjeje në Kosovë, duke iu referuar të dhënave të raportit të prezantuar, ku vërehet rritje e përqindjes së nxënësve që kanë raportuar se kanë tentuar vetëvrasjen.
“Atlasi i fundit i Shëndetit Mendor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) raporton se shpenzimet mesatare të qeverive për shëndetin mendor përbëjnë rreth dy për qind të buxheteve të tyre shëndetësore. Na duhen të dhëna më të mira për të kuptuar se kush ka nevojë për mbështetje, kush e merr atë dhe nëse kjo ndihmë është efektive. Ne mund t’i mbledhim këto të dhëna, duke vepruar njëkohësisht në bazë të asaj që tashmë e dimë. Raporti për Kosovën ofron një bazë për të ndërmarrë veprime, por nevojitet përkushtim për t’i shqyrtuar hapur këto çështje. Raporti gjithashtu tregon se përse kjo punë është kaq urgjente. Në të përmendet rritja e përqindjes së nxënësve 15 dhe 16-vjeçarë të anketuar që kanë raportuar se kanë tentuar vetëvrasjen, nga 3.4 për qind në vitin 2011, në 10 për qind në vitin 2024”, ka deklaruar Hijazi.
