Kush po i hap korridor mediave serbe në RMV?

Nga I.A
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 shtator, Zhurnal.mk – Periudha e fundit në Maqedoninë e Veriut është karakterizuar nga një fenomen i ri që lidhet me depërtimin e mediave serbe në hapësirën mediatike vendore. Pyetja që ngrihet është kush po ua hap korridorin dhe cilat janë pasojat e mundshme të këtij procesi? Në një momentum politik kur rajoni është i brishtë nga aspekti i sigurisë, ky zhvillim nuk mund të shihet thjesht si një transaksion biznesi por si një lëvizje me implikime strategjike dhe gjeopolitike, shkruan Zhurnal.

Mediat serbe “pushtojnë” Maqedoninë e Veriut

“Fokus” ka zbuluar se grupi mediatik serb Alo Media Sistem DOO Beograd po hyn në tregun mediatik të Maqedonisë së Veriut përmes blerjes së Naša TV dhe Radio RFM, të cilat janë në pronësi të Risto Gogovskit. Për këtë qëllim është formuar një entitet ligjor lokal, “Alo Media Sistem DOOEL Shkup”, i cili ka si mision të vetëm realizimin e transaksioneve të blerjes.

Vendimi për miratimin e ndryshimit të strukturës pronësore pritet të merret nga Këshilli i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (AVMU), ndërsa Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës duhet të vlerësojë nëse kjo shitblerje krijon një pozicion monopol në treg. Nëse këto procedura kalojnë pa pengesa, kontrata mund të realizohet brenda tre muajve.

Pronari aktual, Gogovski, ka konfirmuar ekzistencën e një letre synimi, por ka refuzuar të zbulojë detaje mbi shumën e shitblerjes, duke u arsyetuar me klauzolën e konfidencialitetit. Kjo fshehtësi e lë hapur pyetjen mbi interesat reale që fshihen pas këtij depërtimi.

Grupi “Alo”, i udhëhequr nga biznesmeni Sasha Blagojeviç, është i njohur në Serbi për gazetën ditore “Alo” dhe portalin “alo.rs”, si dhe për blerjen e mediave të afërta me pushtetin e Vuçiqit, si “Studio B” dhe pjesëmarrjen në “Informer”. Ky zgjerim në Maqedoni përbën hapin e parë të madh rajonal jashtë kufijve të Serbisë, duke ngritur pikëpyetje mbi agjendën e tij politike dhe mediatike.

Alarm shqetësimi po ngrit vetëm opozitarja LSDM

Opozita maqedonase, përmes kryetarit të saj, Venko Filipçe, ka ngritur alarmin se në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet një formë ndikimi hibrid përmes mediave të lidhura me Serbinë. Ai ka paralajmëruar se do të njoftojë përfaqësuesit e Bashkimit Evropian mbi këtë çështje, duke përmendur se disa subjekte mediatike operojnë pa lejet përkatëse dhe se sinjali i tyre ritransmetohet përmes Serbisë.

Filipçe akuzon Qeverinë se po hesht dhe nuk po reagon ndaj këtij fenomeni, duke e lënë vendin të ekspozuar ndaj ndikimeve të huaja. Ai ka paralajmëruar se do të informojë me shkrim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, si dhe komisioneren Marta Kos.

Sipas tij, pas këtyre aktiviteteve qëndrojnë interesa të huaja që synojnë të ndikojnë në opinionin publik dhe në orientimin politik të vendit. Opozita e sheh si detyrë të saj mbrojtjen e interesave kombëtare dhe angazhimin për përparimin e Maqedonisë së Veriut, duke e konsideruar këtë depërtim si një rrezik për sovranitetin informativ të vendit.

Cilat mund të jenë pasojat?

Depërtimi i mediave serbe në Maqedoninë e Veriut mund të sjellë pasoja të shumta. Së pari, krijohet një rrezik i monopolizimit të tregut mediatik, ku narrativat e afërta me pushtetin e Vuçiqit mund të dominojnë hapësirën publike. Kjo do të ndikonte drejtpërdrejt në formësimin e opinionit publik dhe në perceptimin e politikave rajonale.

Së dyti, ky proces mund të shndërrohet në një instrument të ndikimit politik dhe gjeostrategjik, duke e përdorur median si mjet për të avancuar agjenda të caktuara në rajon. Në një kohë kur siguria rajonale është e brishtë, një prani e tillë mediatike mund të shërbejë si kanal për propagandë dhe destabilizim.

Kujtojmë që, depërtimi i mediave serbe në Maqedoninë e Veriut është një zhvillim me implikime të thella politike dhe gjeostrategjike. Pyetja “kush po ua hap korridorin?” mbetet ende pa përgjigje të qartë, por fakti që institucionet vendore po e trajtojnë si një proces të zakonshëm tregtar e bën situatën edhe më shqetësuese. Nëse nuk ka transparencë dhe reagim institucional, rreziku është që hapësira mediatike e vendit të kthehet në një terren të kontrolluar nga interesa të huaja, duke cenuar pluralizmin dhe sovranitetin informativ të Maqedonisë së Veriut. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër