Shkup, 27 tetor, Zhurnal.mk – “Fitorja historike në Serbi solli rënien e Aleksandar Vuçiqit, mentorit të Hristijan Mickoskit. Siç e paralajmëruam, po vjen koha për çmontimin e oktapodit kriminal ballkanik dhe për vendosjen e përgjegjësisë. Tani qytetarëve u është bërë gjithçka e qartë. Për tenderët kriminalë, për bizneset me energjinë elektrike, sektorin energjetik dhe matësit e energjisë”, tha Bogdanka Kuzeska, anëtare e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së.
“Është e qartë pse 5 ton drogë kalojnë përmes kufirit dhe përfundojnë te SNS-ja në Serbi, ndërsa askush nuk mban përgjegjësi. Po publikohen informacione se kush është ‘Oskari’ në korrespondencat e narkobosëve nga platforma ‘Sky’. Hetimet në Serbi sapo do të fillojnë, dhe kjo do të çojë edhe te lidhjet në Maqedoni”, thotë Kuzeska.
“Në Hungari janë arrestuar tre ministra të qeverisë së Orbanit. Ka hetim për kredinë kineze, paratë e së cilës përfunduan te Mickoski. Gjithçka po bëhet e qartë sepse gjithçka është e lidhur. Dhe më në fund, tani qytetarëve u është bërë e qartë se sipas të njëjtës recetë të Vuçiqit nga Serbia krijohen parti-satelite, me qëllim që të përçahet vota opozitare.
Prandaj ekziston ZNAM-i dhe prandaj Platforma ZNAM 2.0. Prandaj edhe Sputniku rus, si Levica. E gjithë kjo është shkolla e Vuçiqit. Receta e mentorit të Hristijan Mickoskit. Sepse LSDM-ja është opozita e vetme e pakontrolluar.
Përfundimi është shumë i thjeshtë. Pas gjithë kësaj qëndron një organizatë kriminale. Pjesa e saj në Maqedoni është VMRO-ja, një grup i organizuar kriminal, ndërsa shefi i bandës maqedonase është Hristijan Mickoski. Pasojnë zbardhje, pasojnë hetime, pason pastrimi i organizatës kriminale, pjesë pas pjese. Të gjitha ato zbardhje do të përfundojnë edhe në Maqedoni, te bashkëpunëtorët e Mickoskit”, deklaroi Bogdanka Kuzeska, anëtare e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së.
