LDK lëshoi mbledhjen e Kuvendit në Fushë Kosovë, kryesuesi i Kuvendit mohon akuzat për gjuhë të papranueshme

Nga D. V.
980 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 06 korrik, Zhurnal.mk – Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës ka bërë të ditur se ka lëshuar mbledhjen e Kuvendit në shenjë proteste ndaj, siç e ka cilësuar, përdorimit të gjuhës së papranueshme nga ekzekutivi dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal.

Në deklaratën e grupit të LDK-së thuhet se vendimi për të lëshuar mbledhjen është marrë pas përfundimit të pikës së dytë të rendit të ditës.

“Në shenjë proteste ndaj gjuhës së papranueshme të përdorur e të përsëritur nga ana e ekzekutivit dhe kryesuesit të Kuvendit Komunal, pas përfundimit të pikës së dytë të rendit të ditës kemi lëshuar mbledhjen”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Nga kjo parti theksohet se përfaqësuesit e saj nuk kanë përdorur gjuhë ofenduese apo linçuese gjatë diskutimeve në Kuvend.

“Asnjëherë askush nga grupi ynë parlamentar nuk ka ofenduar apo linçuar askënd. Përkundrazi, çdo diskutim i yni është zhvilluar në kuadër të gjuhës parlamentare, i argumentuar me fakte dhe në respekt të institucionit që përfaqësojmë”, thuhet më tej në deklaratë.

LDK shton se nuk do të tolerojë, siç thekson, linçime apo sulme ndaj anëtarëve të saj dhe kërkon që debati politik të mbetet brenda kufijve institucionalë.

“Megjithatë, nuk do të lejojmë që asnjë anëtar i grupit tonë parlamentar të linçohet apo të sulmohet pa bazë. Debati politik duhet të mbetet në kufijtë e respektit institucional dhe të argumentimit, e jo të degradojë në sulme personale dhe etiketime”, thuhet në reagim.

Ndërkohë, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës, Vlonjat Hasani, ka mohuar akuzat për përdorim të gjuhës së papranueshme, duke thënë se qëllimi i tij ka qenë ruajtja e rendit dhe respektimi i rregullave të punës së Kuvendit.

“Askush ndaj askujt nuk ka përdorur gjuhë të papranueshme!”, ka deklaruar Hasani.

Sipas tij, kërkesat e bëra gjatë seancës kanë pasur për qëllim funksionimin normal të Kuvendit dhe respektimin e rregullave procedurale.

“Nëse LDK e quan ‘gjuhë të papranueshme’ kërkesën e Kryesuesit për të mbajtur qetësi dhe rend në seancë, respektim të rregullave të punës së Kuvendit, respektim njerëzor, etik e profesional… atëherë po, këto i kam kërkuar nga të gjithë”, ka thënë ai.

Hasani ka shtuar se do të vazhdojë të kërkojë respektimin e rregullave të Kuvendit dhe të institucionit që përfaqëson.

“Do të jem këmbëngulës në këtë punë deri në arritjen e vetëdijes se në Kuvend duhet respektuar rregullat, rendi, puna, mendimi i secilit, profesionalizmi dhe respekti ndaj njëri-tjetrit”, ka deklaruar kryesuesi i Kuvendit.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e respektimit të institucionit të kryesuesit të Kuvendit Komunal.

“Ju kërkoj ta respektoni institucionin e quajtur kryesues i Kuvendit Komunal, jo emrin tim të përvetshëm”, është shprehur Hasani.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër