Shkup, 30 tetor, Zhurnal.mk – Gjatë tre viteve të fundit, studentët janë dëmtuar për 6,5 milionë euro si rezultat i mosrritjes së shumës së shujtës studentore. Levica propozoi ndryshime në Ligjin për Shujtën Studentore të Subvencionuar, me të cilat shuma do të përcaktohej në lartësi prej 1% të pagës minimale, ndërsa e drejta do të vlente për të gjithë studentët. VMRO-DPMNE e refuzoi propozimin, ndërsa Ministria e Arsimit vazhdoi ta shkelë ligjin dhe të refuzojë harmonizimin e subvencionit me rritjen e kostove të jetesës. Qeveria nuk është në gjendje të përmbushë as detyrimin ligjor për një nga përfitimet e pakta që ua siguron studentëve, reagojnë nga Levica.
Vesna Janevska, shtojnë nga partia, deri vonë i ka mashtruar studentët se shujta studentore tashmë është rritur, ndërsa tani përsëri premton rritje, pa bërë të ditur se kur do të ndodhë kjo. Ndërkohë, ministria po e zhvendos debatin drejt vauçerëve elektronikë dhe ndryshimeve në sistem, duke shmangur atë që me ligj është e DETYRUAR ta bëjë: harmonizimin e subvencionit me inflacionin.
“Njësoj të paturpshme janë edhe paralajmërimet e Mickoskit se shujta studentore do të arrijë në 4.500 denarë në muaj. Kjo është rreth 170 denarë në ditë, shumë me të cilën Qeveria pret që studentët t’i mbulojnë shpenzimet e ushqimit në kushte të rritjes së vazhdueshme të çmimeve. Një paralajmërim i tillë është larg kërkesave të studentëve dhe propozimit të Levicës për një zgjidhje sistemore, me të cilën subvencioni do të lidhej me pagën minimale dhe do të harmonizohej me rritjen reale të kostove të jetesës. Në vend që të spekulojë me shuma, Qeveria ka detyrim ligjor që urgjentisht ta harmonizojë subvencionin me inflacionin, pas tre vitesh injorimi të këtij detyrimi”, thuhet në reagim.
Levica, siç theksojnë nga atje, nuk do të lejojë që kjo çështje të fshihet sërish pas premtimeve boshe. Studentët, me mbështetjen e Levicës, kanë paralajmëruar nisjen e procedurës kundër ministres Vesna Janevska para Gjykatës Administrative dhe paraqitjen e një ankese te Avokati i Popullit për shkak të mosrespektimit të të drejtave të tyre ligjore.
“Do të vazhdojmë të kërkojmë përgjegjësi nga Ministria e Arsimit derisa ligji të zbatohet dhe shujta studentore të harmonizohet me rritjen reale të kostove të jetesës”, theksojnë nga Levica.
