Shkup, 30 tetor, Zhurnal.mk – Konvikti studentor “Stiv Naumov” vazhdon të shpërbëhet. Një muaj pas rikonstruktimit, sistemi po dështon. Fillimisht rridhte ujë nga të gjitha anët, nuk kishte ngrohje, ndërsa tani ka plasur edhe një bojler, deklaroi Stefanija Kuzmanovska, kryetare e SDMM-së.
“Për fat të mirë nuk ka të lënduar. A është ky konvikti i kategorisë A që e premtuan Janevska dhe Mickoski? Lagështi, dhoma që pikojnë, pa ngrohje, pa ujë të ngrohtë, e tani edhe bojler i plasur. Por, ndërkohë, pjesëmarrja për akomodim është rritur dyfish. Për çfarë paguajnë studentët 6.600 denarë në muaj? Për defekte në konviktin që duhej të ishte plotësisht i rinovuar. Çfarë morën studentët? Asgjë. As kushte dinjitoze jetese në konvikte, as shujtë më të lartë studentore, teksa mbijetojnë me vetëm 140 denarë në ditë”, tha ajo.
Kuzmanovska theksoi se me ribalancin e dytë të buxhetit, pushteti ka shkurtuar mjetet për arsimin, për rikonstruktimin dhe rehabilitimin energjetik të konvikteve studentore.
“Nuk ka shujtë më të lartë studentore. Aq shumë kujdesen për studentët. Mickoski nuk ka para për të rinjtë, sepse i shpenzon ato për tenderët e tij kriminalë. Studentët meritojnë jetë dinjitoze. SDMM është me studentët. Kërkojmë rritjen e shujtës studentore në 200 denarë. Ky është minimumi për një vakt të denjë dhe të shëndetshëm, si dhe për kushte më të mira për studentët”, deklaroi Kuzmanovska.
