LSDM për Mucunskin: Për Iva Mihajlovën mesazhe të ashpra, për Gruevskin heshtje

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 tetor, Zhurnal.mk – LSDM i bëri thirrje ministrit të Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, që të zbatojë të njëjtat kritere edhe ndaj Hungarisë, pasi ai reagoi lidhur me rastin e Iva Mihajlovës dhe deklaroi se është e papërshtatshme që një vend anëtar i BE-së të jetë strehë për persona që i ikin drejtësisë.

Nga partia opozitare pyesin pse Mucunski nuk dërgon një mesazh po aq të qartë drejt Budapestit dhe pse, sipas tyre, ende nuk është dorëzuar dokumentacioni i plotë për ekstradimin e ish-kryeministrit Nikola Gruevski.

“Nëse është e papërshtatshme që Sofja të jetë strehë, e papërshtatshme është edhe që Budapesti të jetë strehë”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Nga partia drejtojnë kritika edhe ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke e akuzuar për heshtje lidhur me çështjet e sigurisë dhe lëshimet në kufij. Në komunikatë përmenden edhe pesë tonët e drogës, për të cilat pretendojnë se kanë kaluar përmes kufirit drejt Serbisë.

LSDM kërkon nga Mucunski që publikisht të shpjegojë pse dokumentacioni për ekstradimin e Gruevskit nuk është kompletuar dhe të angazhohet për trajtim të barabartë në të gjitha rastet që lidhen me persona që i shmangen drejtësisë.

Nga partia theksojnë se qëndrimi i tyre është i njëjtë si për rastin e Iva Mihajlovës, ashtu edhe për Gruevskin, duke nënvizuar se standardet juridike duhet të vlejnë njësoj për të gjithë.

artikuj të ndërlidhura