Shkup, 27 tetor, Zhurnal.mk – Levica i bëri thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme, në prag të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për rezolutën me të cilën kërkohet heqja e embargos amerikane ndaj Kubës, e cila është caktuar për 28 tetor 2026, që të votojë “për” miratimin e saj.
“Apelin e drejtojmë sepse në tetor të vitit të kaluar, MPJ-ja e udhëhequr nga Timço Mucunski për herë të parë në historinë e diplomacisë maqedonase votoi kundër, së bashku me edhe gjashtë shtete të tjera (SHBA, Izraeli, Paraguai, Argjentina, Hungaria dhe Ukraina), me çka Republika e Maqedonisë u izolua në skenën politike botërore. Deri në këtë precedent të pabesueshëm të diplomacisë dritëshkurtër të VMRO-së, Republika e Maqedonisë në mënyrë të vazhdueshme votonte për përfundimin e sanksioneve ndaj Kubës që nga fillimi i viteve ’90, kur Asambleja e Përgjithshme filloi ta miratonte këtë rezolutë vjetore, dhe këtë e bënte si pjesë e procesit të stabilizim-asociimit së bashku me vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Diplomati i parë i shtetit, i cili ndër të tjera përpiqet të krijojë përshtypjen e një mbështetësi të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë në BE, bën pikërisht të kundërtën kur i udhëzon përfaqësuesit tanë në OKB të votojnë kundër vetë organizatës në të cilën përpiqet ta anëtarësojë shtetin”, thuhet nga Levica.
Nga partia thonë se Kuba, që nga fillimi i administratës së Trumpit, po përballet me një krizë serioze humanitare të nxitur nga embargoja brutale e vendosur nga SHBA-ja, me mungesë të produkteve elementare, energjisë elektrike, karburantit, ujit, ushqimit dhe me rritje të vdekshmërisë. Me vendosjen automatike në anën e SHBA-së dhe Izraelit, të cilat deri në vitin 2024 ishin vendet e vetme që votonin kundër kësaj rezolute, thonë nga Levica, Republika e Maqedonisë sërish po vendoset në anën e kriminelëve dhe kusarëve për të cilët asgjë nuk është e shenjtë.
“Prandaj, votimi i paralajmëruar nuk guxon të jetë edhe një përsëritje mekanike e qëndrimeve politike të huaja. Maqedonisë i nevojiten aleatë, kredibilitet ndërkombëtar dhe diplomaci parimore, e jo braktisje e pozicioneve të vendosura. Politika e jashtme maqedonase duhet të udhëhiqet nga interesi kombëtar dhe parimet ndërkombëtare, në vend që çdo vendim të harmonizohet automatikisht me qëndrimet e SHBA-së. Votimi i paralajmëruar do të jetë mundësi për të dëshmuar se Republika e Maqedonisë e ndjek kursin e saj tradicional diplomatik dhe ndërpret praktikën e servilizmit dhe nënshtrimit ndaj banditëve dhe mashtruesve nga e gjithë bota”, thonë nga Levica.
