Londër, 15 qershor, Zhurnal.mk – Marrëveshja e paqes, e shpallur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani, është mirëpritur nga një numër gjithnjë e më i madh liderësh botërorë, të cilët e kanë cilësuar atë, si një hap të rëndësishëm drejt uljes së tensioneve në Lindjen e Mesme, raportoi BBC.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, përshëndeti njoftimin për arritjen e marrëveshjes, duke e cilësuar atë si “një hap kritik drejt zgjidhjes paqësore të konfliktit”.
Edhe kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, vlerësoi marrëveshjen, duke shprehur besimin për garantimin e lundrimit të lirë dhe të sigurt në Ngushticën e Hormuzit, si dhe arritjen sa më shpejt, të një marrëveshjeje përfundimtare, për çështjen bërthamore iraniane dhe tema të tjera të mbetura pezull.
Nga ana e tij, kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, deklaroi se shpreson që marrëveshja të çojë në një paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Ai theksoi se rikthimi i funksionimit normal të këtij korridori të rëndësishëm tregtar, është thelbësor për zbutjen e presioneve, mbi çmimet e energjisë dhe ekonomitë në mbarë botën.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Zelandës së Re, Winston Peters, e cilësoi marrëveshjen si “konstruktive dhe vendimtare”, duke shtuar se ajo përfaqëson, një hap drejt reduktimit të tensioneve dhe forcimit të stabilitetit, në një rajon me rëndësi kyçe për sigurinë ekonomike globale.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, e mirëpriti marrëveshjen si një “hap jashtëzakonisht të rëndësishëm përpara drejt përfundimit të luftës”, duke theksuar se Ngushtica e Hormuzit, një korridor strategjik për transportin e energjisë, që ka qenë praktikisht e mbyllur gjatë konfliktit, duhet të mbetet “plotësisht dhe përgjithmonë e hapur”.
Në një deklaratë të përbashkët pas shpalljes së marrëveshjes, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia e cilësuan atë, si “një moment mundësie për rikthimin e stabilitetit rajonal dhe stabilizimin e ekonomisë globale”.
Katër vendet shtuan se janë të gatshme të heqin sanksionet përkatëse në përgjigje të “hapave të qartë dhe të verifikueshëm që Irani do të ndërmarrë lidhur me programin e tij bërthamor”.
