Liderët sinjalizojnë fazë të re diplomacie pas marrëveshjes SHBA-Iran

Nga D. V.
544 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Evian, 17 qershor, Zhurnal.mk – Samiti treditor i G7-tës në Francë përfundon sot, ndërsa liderët e vendeve më të industrializuara të botës kanë shprehur mbështetje për marrëveshjen e arritur mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, raportoi BBC.

Në deklaratën e përbashkët, vendet e G7-tës – SHBA-ja, Kanadaja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia – vlerësuan marrëveshjen si një zhvillim të rëndësishëm, për Lindjen e Mesme dhe shprehën gatishmërinë për të kontribuar në zbatimin e saj.

Ata kërkuan gjithashtu një marrëveshje pasuese “të fortë dhe gjithëpërfshirëse”, e cila do të mund të garantonte paqe dhe siguri afatgjatë në rajon.

Gjatë takimit të sotëm, pritet që presidenti francez, Emmanuel Macron dhe presidenti amerikan, Donald Trump të mbajnë konferenca për shtyp për të paraqitur përfundimet e samitit.

Një nga çështjet kryesore të diskutimit mbetet Ngushtica e Hormuzit, një prej korridoreve më strategjike të transportit detar në botë.

Sipas një drafti të marrëveshjes të publikuar nga “Bloomberg”, Irani pritet të ndërmarrë hapa për rikthimin e trafikut tregtar detar, në nivelet para konfliktit brenda 30 ditëve.

Ngushtica e Hormuzit lidh Gjirin Persik me Detin Arabik dhe përmes saj kalon rreth 20 për qind e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.

Përveç Iranit, nga kjo rrugë kalojnë eksportet energjetike të Irakut, Kuvajtit, Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Trafiku detar në këtë zonë, ka rënë ndjeshëm që nga fillimi i konfliktit, pas kërcënimeve iraniane ndaj cisternave të naftës dhe anijeve të tjera tregtare.

Në kushte normale, rreth 3,000 anije kalojnë çdo muaj nëpër ngushticë, por numri i lundrimeve është ulur ndjeshëm gjatë muajve të fundit.

Deklarata e G7-tës, trajton edhe çështje të tjera ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë, programin bërthamor dhe raketor të Koresë së Veriut, si dhe tensionet në Detin e Kinës Lindore e Jugore dhe në Ngushticën e Tajvanit.

Liderët e grupit theksuan nevojën për stabilitet dhe bashkëpunim diplomatik në një periudhë të tensionuar për sigurinë globale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër