Lidhja Demokratike kërkon përgjegjësi penale për gjyqtarët që keqpërdorin funksionin

Nga R.ZH
1,318 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 korrik, Zhurnal.mk – Lidhja Demokratike e Pavle Trajanov, me rastin e raportit më të fundit të Bashkimit Evropian për gjendjen në gjyqësor, vlerëson se reformat në sistemin e drejtësisë duhet të vazhdojnë me ritëm të përshpejtuar, pasi një gjyqësor i pavarur, efikas dhe me përgjegjësi është parakusht kyç për sundimin e ligjit dhe përparimin e shtetit në procesin e integrimit evropian, transmeton Zhurnal.mk.

“Lidhja Demokratike angazhohet për kufizimin e mandatit të gjyqtarëve dhe rizgjedhjen e tyre çdo shtatë vjet. Mandati i përjetshëm aktual nuk siguron përgjegjësi të mjaftueshme dhe as nuk e forcon besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor.

Gjithashtu, Lidhja Demokratike konsideron se është e domosdoshme ndryshimi i Kushtetutës, në mënyrë që gjyqtarët të mund të mbajnë përgjegjësi penale për vendimet gjyqësore që janë rezultat i keqpërdorimit të funksionit të gjyqtarit, korrupsionit ose shkeljes së qëllimshme të ligjit. Pavarësia e gjyqësorit nuk duhet të keqpërdoret si mbrojtje nga përgjegjësia.

Sa i përket financimit të gjyqësorit, Lidhja Demokratike rikujton se Maqedonia e Veriut ka mjete të kufizuara buxhetore. Pagat dhe kompensimet e gjyqtarëve duhet të jenë në përputhje me mundësitë reale të buxhetit shtetëror dhe me nevojat për financimin e funksioneve të tjera të rëndësishme publike. Buxheti i pavarur i gjyqësorit dhe pavarësia në financim nuk nënkuptojnë arsyetim për paga tepër të larta, e as për keqpërdorimin e orëve shtesë, mëditjeve dhe bonuseve të ndryshme.

Qytetarët presin që gjyqësori më në fund të japë drejtësi, e jo dënime arbitrare me kusht për njerëzit e fuqishëm të biznesit dhe politikës. Ligji duhet të vlejë njësoj për të gjithë, ndërsa autorët e veprave të rënda penale dhe korrupsionit të lartë duhet të marrin sanksione që i përgjigjen peshës së veprave.

Lidhja Demokratike pret gjithashtu që Prokuroria Publike të intensifikojë ndjeshëm hetimet, veçanërisht në rastet që lidhen me korrupsionin e lartë dhe krimin e organizuar, dhe më në fund të japë rezultate që do ta rikthejnë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Lidhja Demokratike mbetet konsekuente në qëndrimin se pa reforma të thella dhe të guximshme në gjyqësor nuk mund të ketë sundim të ligjit, nuk mund të ketë luftë të suksesshme kundër korrupsionit dhe nuk mund të ketë përparim të vërtetë të Maqedonisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në kumtesën e partisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër