Maqedonia e Veriut kërkon edhe gjashtë vjet afat nga UNESCO për mbrojtjen e Rajonit të Ohrit

Nga R.ZH
1,384 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 korrik, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut i ka kërkuar UNESCO-s një afat shtesë prej gjashtë vjetësh për zbatimin e masave për mbrojtjen e Rajonit të Ohrit, në përpjekje për të shmangur përfshirjen e tij në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Në projektvendimin më të ri të Komitetit të Trashëgimisë Botërore propozohet sërish që Rajoni i Ohrit, i cili është trashëgimi e përbashkët natyrore dhe kulturore e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të futet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Vendimi përfundimtar pritet të merret më 22 korrik, në kuadër të sesionit të 48-të të Komitetit, që po mbahet në Busan të Koresë së Jugut, shkruan Zhurnal.mk.

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Qeveria tashmë ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh, por theksoi se është e pamundur që për dy vjet të korrigjohen problemet e krijuara gjatë më shumë se tre dekadave.

“Po kërkojmë të na jepet një periudhë prej gjashtë vjetësh për të korrigjuar atë që është konstatuar në të kaluarën. Edhe sikur të ishim supermenë, nuk mund të rregullonim për dy vjet diçka që është shkatërruar për tre dekada e gjysmë”, deklaroi Mickoski gjatë një vizite në Komunën e Debërcës.

Ai bëri të ditur se përfaqësues të UNESCO-s kanë qëndruar së fundmi në vend, ku kanë zhvilluar takime me institucionet kompetente, duke theksuar se procesi nuk varet vetëm nga Maqedonia e Veriut, por edhe nga Shqipëria, pasi Liqeni i Ohrit është trashëgimi botërore e përbashkët e dy shteteve.

Nga Qeveria dhe Ministria e Kulturës është bërë e ditur më herët se pjesa më e madhe e vërejtjeve të UNESCO-s lidhen me probleme të trashëguara nga vitet e kaluara, kur janë hartuar raportet negative për gjendjen në rajon.

Një nga sfidat më të mëdha mbeten ndërtimet pa leje. Sipas raportit të Entit Shtetëror për Revizion, në territorin e Ohrit janë evidentuar 4.847 objekte të paligjshme, përfshirë ndërtesa banimi dhe hotele. Megjithëse janë lëshuar 456 vendime për prishjen e tyre, auditorët kanë konstatuar se asnjë prej tyre nuk është zbatuar.

Pas publikimit të raportit të revizionit, Prokuroria Themelore Publike hapi procedurë dhe kreu kontrolle në Komunën e Ohrit, ndërsa kryetari aktual i komunës, Kiril Pecakov, deklaroi se dobësitë e konstatuara janë rezultat i praktikave shumëvjeçare dhe problemeve të trashëguara.

Kjo nuk është hera e parë që Rajoni i Ohrit përballet me rrezikun e përfshirjes në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Edhe vitin e kaluar Komiteti i UNESCO-s propozoi një masë të tillë, por pas ndërhyrjes së qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të cilat paraqitën amendamente, të dyja vendet fituan një afat shtesë njëvjeçar për zbatimin e rekomandimeve.

Vendimi i atëhershëm shkaktoi reagime nga rreth 40 organizata të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe vendeve të tjera evropiane, të cilat vlerësuan se Komiteti kishte injoruar rekomandimet e misioneve të ekspertëve.

Një vit më vonë, UNESCO rikthen propozimin që Rajoni i Ohrit të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, ndërsa autoritetet e Maqedonisë së Veriut kërkojnë një afat të ri gjashtëvjeçar për zbatimin e rekomandimeve dhe ruajtjen e statusit të një prej pasurive më të çmuara natyrore dhe kulturore në rajon.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër