Lituania: BE ta shpallë organizatë terroriste agjencinë ruse të zbulimit ushtarak (GRU)

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Vilnius, 26 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kęstutis Budrys, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të shpallë organizatë terroriste agjencinë e zbulimit ushtarak të Rusisë, GRU, në kushtet e shtimit të sulmeve dhe akteve të sabotimit në Evropë.

GRU po terrorizon shoqëritë evropiane, vendimmarrësit dhe individët, deklaroi Budrys në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt”, të publikuar të mërkurën.

Ai tha se shërbimet e inteligjencës lituaneze kanë identifikuar personat përgjegjës për operacione të caktuara dhe se gjykatat në vend kanë dhënë vendime për raste të tilla.

Sipas Budrys, masa të ngjashme ligjore mund të ndërmerren edhe në Gjermani.

Ai përmendi si shembull një tentativë sulmi në aeroportin e Lajpcigut në fillim të gushtit, ku u zbulua një dron që transportonte lëndë shpërthyese pranë avionëve të ngarkesave që transportonin mallra drejt Ukrainës.

Aktualisht, pesë persona po gjykohen në Lituani me akuza për terrorizëm, pasi dyshohet se kanë dërguar pako që përmbanin pajisje shpërthyese të prodhuara në mënyrë artizanale.

Operacionet dyshohet se janë organizuar nga persona me lidhje me GRU-në.

Autoritetet lituaneze kanë ngritur gjithashtu akuza ndaj disa personave për tentativa zjarrvenieje dhe akte vandalizmi, të cilat dyshohet se janë kryer në emër të agjencisë ruse të inteligjencës ushtarake.

GRU është fajësuar për organizimin e një sërë operacionesh në vende të ndryshme perëndimore.

artikuj të ndërlidhura