Presidenti lituanez, Gitanas Nauseda, tha se vendi i tij nuk do të tolerojë shkelje të përsëritura të hapësirës së tij ajrore, me ushtrinë që është gati për të rrëzuar çdo balonë tjetër.
Komentet e tij vijnë pasi aeroporti i Vilniusit u detyrua të pezullojë operacionet e tij katër herë javën e kaluar, pasi në afërsi të hapësirës së tij ajrore u raportuan balona kontrabande, që besohet se janë lëshuar nga Bjellorusia, duke shkaktuar shqetësime për sigurinë e operacioneve ajrore, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Nausėda tha se fenomeni i balonave kontrabande nuk është i ri dhe se aftësia e Lituanisë për t’i zbuluar ato – jo vetëm mbi territorin e Lituanisë – është përmirësuar gjatë muajve të fundit falë “kapaciteteve shtesë”.
Por ai këmbënguli se balonat u përdorën për “një sulm hibrid kundër Lituanisë”, si një “veprim i qëllimshëm që synonte destabilizimin e situatës” në vend, raportoi LRT.
Presidenti tha se kërkimfaljet e dukshme të Lukashenkos për incidentin (megjithëse të shoqëruara me akuza të mëtejshme të pabazuara kundër Vilniusit) vërtetuan se plani i qeverisë lituaneze për të mbyllur kufijtë me Bjellorusinë në përgjigje “dëmtonte” interesat e Minskut, ndërsa shtoi ai: “Ne duam që ky shtet fqinj ta kuptojë shumë mirë se të gjitha veprimet e drejtuara kundër Lituanisë do të kenë pasoja”.
Ai gjithashtu nuk përjashtoi masa të mëtejshme kundër Bjellorusisë, duke përfshirë kufizime të mundshme në tranzitin hekurudhor.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha gjithashtu më parë se komisioni nuk ishte i përgatitur të toleronte incidente të tilla.
