Interi ka marrë një përgjigje negative nga Liverpooli pasi oferta e re prej rreth 25 milionë eurosh për Curtis Jones është refuzuar nga klubi anglez.
Sipas raportimeve të The Times dhe konfirmimit nga Fabrizio Romano, drejtuesit e Liverpoolit e vlerësojnë mesfushorin anglez me rreth 35 milionë funte, ose afërsisht 40 milionë euro. Përveç kësaj, ata kërkojnë edhe një përqindje prej 10 deri në 15 për qind nga shitja e ardhshme e lojtarit.
Raporit shton se Liverpooli nuk është i kënaqur me qasjen e Interit, pasi e konsideron ofertën e klubit italian shumë më të ulët se vlera që i ka vendosur lojtarit.
Për momentin, diferenca mes kërkesave të Liverpoolit dhe ofertës së Interit mbetet e konsiderueshme, duke bërë që negociatat të mos përparojnë me ritëm të shpejtë.
Megjithatë, Interi vazhdon të besojë se mund të arrijë marrëveshjen falë dy faktorëve të rëndësishëm.
Së pari, vetë Jones dëshiron të largohet nga “Anfield” gjatë kësaj vere. Së dyti, trajneri i ri i Liverpoolit, Andoni Iraola, thuhet se nuk e konsideron anglezin pjesë të planeve të tij për sezonin e ardhshëm.
Raportet sugjerojnë se Iraola preferon të përforcojë mesfushën me alternativa të tjera, mes tyre Elliott Anderson ose një tjetër transferim të nivelit të lartë.
Dëshira e lojtarit për të ndryshuar ambient dhe mungesa e një roli të rëndësishëm në projektin e ri të Liverpoolit i japin optimizëm Interit se marrëveshja mund të realizohet, pavarësisht hendekut aktual financiar mes dy klubeve.
Nerazzurrët synojnë ta mbyllin operacionin përpara nisjes së fazës përgatitore në mesin e muajit korrik, çka u jep të dyja palëve një afat të qartë për të gjetur një kompromis në javët e ardhshme.

