Lorik Cana flet për suksesin e Kosovës në padel dhe “Prishtina 2030”: Tani jemi në momentin e zhvillimit

Nga D V
549 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ish-kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, ka vlerësuar paraqitjen e Kosovës dhe Shqipërisë në garat e padelit në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke e cilësuar pjesëmarrjen në këtë ngjarje si një arritje të rëndësishme për një sport që vitet e fundit ka njohur rritje të madhe.

Cana, i cili është përfshirë edhe në zhvillimin e padelit dhe në ndërtimin e infrastrukturës për këtë sport, ka folur për KosovaPress për rëndësinë që ka pjesëmarrja në një kompeticion të madh ndërkombëtar.

“Pjesëmarrja vetë në një kompeticion të ri, e dëshmon që ka gjithmonë një rritje, një zhvillim. Edhe sidomos kur bëhet një komunitet që para disa viteve ka qenë inekzistent, ajo të jep më shumë kënaqësi. Mandej, normal që pjesëmarrja është një fitore në vete, edhe t’i mbledhim si djemtë e Shqipërisë edhe si djemtë e çikat e Kosovës për një pjesëmarrje të parë, me ato të mirat, me ato gjërat e bukura, me vështirësitë e veta, se mandej sa më shumë rritet niveli fillon e bëhet më e vështirë”, ka thënë fillimisht Cana.

“Por suksesi një herë është prania këtu si Shqipëria, si Kosova në këtë komunitet të madh të Lojërave Mesdhetare. Edhe pastaj të marrim pjesë edhe në një sport si padeli që, që është sporti me zhvillimin më të madh në këto vitet e fundit”.

Duke komentuar nivelin e garave, Cana u ndal edhe te përballja me Portugalinë, duke theksuar diferencën mes sportistëve shqiptarë e kosovarë dhe disa prej rivalëve që tashmë kanë përvojë të gjatë profesionale.

“Këta dy vëllezërit Deus janë në top 30-she në botë. Domethënë normal që është jashtëzakonisht shumë e vështirë pas pak kohe ku djemtë tanë edhe çikat e kanë bërë më shumë se sa hobi se sa një profesion”.

“Këta janë full profesionistë, me vite marrin pjesë në garat më të mëdha. Por vetë fakti që ne jemi aty, secili prej nesh ka bërë fitore, djemtë tanë kanë fituar kundër Turqisë. Por sfida më e madhe është tani t’u japim mundësi edhe të rinjve tanë, edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, të merren sa më shumë me sportin në përgjithësi”, shtoi Cana.

Një pjesë të rëndësishme të deklaratës së tij Cana ia kushtoi edhe Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, të cilat pas katër vitesh do të zhvillohen në Kosovë.

Ai e konsideron organizimin e kësaj ngjarjeje si një mundësi të madhe për vendin, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe për imazhin dhe konsolidimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Është diçka e jashtëzakonshme për njohjen, për konsolidimin e shtetit, për përfaqësimin e shtetit, e frymës së saj sportive, e rinisë tonë. Kemi një nga shtetet, si komb në përgjithësi, por edhe si nga shtetet me popullatën më të re. Dhe duke i dhënë mundësi që edhe te ne mund të bëhet diçka e mirë, mund të organizohet diçka e mirë, mund të jetojmë me frymën e sportit, kjo është diçka që pas luftës ka munguar jashtëzakonisht shumë”.

“Ata që e kanë mbajtur sportin në përgjithësi gjallë kanë qenë vetëm me pasionin e tyre edhe me një uri shumë të madhe e kanë bërë që në ato momente të vështira të mbijetojnë. Tani ne nuk jemi më në momentin e mbijetesës, jemi në momentin e zhvillimit, të qëndrimit, të rritjes së komunitetit të sportit, se një vend i cili e do sportin, një vend i cili jeton me vlerat e sportit është një vend i shëndetshëm dhe është një vend me mirëqenie”.

“Dhe besoj që Lojërat, përveç se na përfaqësojnë si komb në përgjithësi edhe si shtet, si Kosovë, ndihmojnë edhe na vetë brenda nesh të dashurohemi me këto vlera të sportit. Dhe është aq e rëndësishme se si përfaqësohemi, është aq e rëndësishme edhe mesazhi që duam ta japim për njerëzit tanë”, përfundoi Cana.

Kosova po e shfrytëzon pjesëmarrjen në “Taranto 2026” edhe si një mundësi për të krijuar përvojë në disiplina të reja sportive.

Ndërkohë, organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” pritet të jetë një tjetër hap i rëndësishëm për zhvillimin e sportit dhe krijimin e kushteve më të mira për gjeneratat e reja.

Për Canën, investimi në sportet e reja, përfshirja e të rinjve dhe organizimi i një ngjarjeje të përmasave të Lojërave Mesdhetare mund të shërbejnë si bazë për një të ardhme më të fuqishme sportive të Kosovës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër