Tiranë, 24 gusht, Zhurnal.mk – Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka ndarë një mesazh për përfundimin e misionit të tij në Shqipëri, duke shprehur vlerësimin për njerëzit që ka takuar gjatë tre viteve të qëndrimit në vendin tonë dhe besimin në të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Gonzato kujton mbërritjen e tij në pikën kufitare të Hanit të Hotit dhe udhëtimet në të gjithë vendin, nga veriu në jug dhe nga perëndimi në lindje.
“Duket sikur ishte dje kur mbërrita në pikën kufitare të Hanit të Hotit dhe nisa aventurën time në Shqipëri. Tre vite më pas, zemra dhe shpirti im janë mbushur me kujtimet e takimeve me njerëz të jashtëzakonshëm”, shprehet ai, duke vlerësuar shqiptarët si njerëz “të zgjuar, ambiciozë dhe punëtorë”.
“Kam udhëtuar në të gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug, nga perëndimi në lindje, duke takuar gjatë rrugës njerëz të zgjuar, ambiciozë dhe punëtorë”, shprehet ai.
Ambasadori thekson se gjatë mandatit të tij ka parë nga afër edhe vështirësitë dhe sfidat me të cilat përballet vendi, por edhe energjinë dhe vendosmërinë që, sipas tij, e bëjnë të besojë në të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
“Kam parë vështirësitë dhe sfidat, por kam parë gjithashtu energjinë dhe vendosmërinë që më bëjnë të besoj në të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, thekson Gonzato.
Gonzato nënvizon gjithashtu punën e përbashkët me kolegët e tij për t’iu përgjigjur aspiratës së Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe për ndërtimin e institucioneve të forta e të pavarura, ku të drejtat e qytetarëve mbrohen dhe respektohen.
“Së bashku me kolegët e mi fantastikë, kemi punuar fort për t’iu përgjigjur dëshirës së Shqipërisë “për të qenë si pjesa tjetër e Evropës”, për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, në një vend me institucione të forta dhe të pavarura, ku të drejtat e më të cenueshmëve mbrohen e respektohen, ku askush nuk lihet pas dhe ku diversiteti mirëpritet dhe vlerësohet”, shkruan Gonzato.
Duke iu referuar largimit nga Shqipëria përmes portit të Durrësit, ambasadori tregon se i ka thënë vetes: “Do të kthehem”.
“Dhe një ditë, nuk do të ketë më nevojë të tregoj pasaportën për të ardhur në Shqipëri. Deri atëherë – mirupafshim, Shqipëri”, përfundon mesazhin e tij Silvio Gonzato.
