VMRO-DPMNE: Tetë tremujorë pa rritje negative në ndërtimtari

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 tetor, Zhurnal.mk – Sektori i ndërtimtarisë në Maqedoni shënon rezultate pozitive në periudhën nga korriku 2024 deri në qershor 2026, me një rritje reale mesatare tremujore prej 14,1 për qind dhe pa asnjë tremujor me rezultat negativ. Këtë e thekson deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, duke iu referuar të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës.

Sipas analizës së tij, në periudhën e mëparshme të analizuar prej 29 tremujorësh, rritja mesatare ka qenë minus 0,2 për qind, që paraqet një dallim prej 14,3 pikësh përqindjeje.

Stojanoski veçon në mënyrë të posaçme tremujorin e dytë të vitit 2026, kur ndërtimtaria ka realizuar rritje reale prej 21,9 për qind. Te ndërtimet e ulëta, rritja ka arritur në 48,9 për qind.

Si nxitës kryesorë të trendit pozitiv ai i përmend investimet infrastrukturore, ndërtimin e rrugëve, korridoret dhe projektet e tjera kapitale.

“Más shumë kantiere ndërtimi, më shumë projekte kapitale, më shumë vlerë e krijuar. Maqedonia po ndërtohet sërish”, thekson Stojanoski në publikimin nga i cili VMRO-DPMNE i përcjell të dhënat.

artikuj të ndërlidhura