Brenda vetëm pak ditësh, bombardimi masiv i Iranit nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli është shndërruar në një luftë rajonale, duke përfshirë aleatë kyç të Amerikës në Lindjen e Mesme dhe duke shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve globale të energjisë.
Irani iu përgjigj fushatës së përbashkët amerikano-izraelite, e cila më 28 shkurt vrau udhëheqësin suprem, ajatollah Ali Khamenei, me sulme të paprecedenta me raketa dhe dronë ndaj objekteve ushtarake dhe diplomatike amerikane, si dhe duke goditur infrastrukturë kyçe energjetike në Gjirin Persik.
Duke u përballur me atë që ekspertët e përshkruajnë si një kërcënim ekzistencial, Teherani synon të rrisë koston ekonomike, politike dhe ushtarake të konfliktit për Shtetet e Bashkuara, me qëllim që të detyrojë përfundimin e armiqësive.
“Teherani duket se po llogarit në hezitimin e presidentit amerikan Donald Trump për t’u përfshirë në luftëra të ndërlikuara dhe të kushtueshme, duke kërkuar të tregojë se ka kapacitetin ta zgjasë konfliktin dhe ta bëjë atë gjithnjë e më kompleks dhe të shtrenjtë”, tha Hamidreza Azizi, studiues në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.
Kosto të drejtpërdrejta për SHBA-të
Irani po i shkakton kosto të drejtpërdrejta Shteteve të Bashkuara, të cilat deri më tani kanë humbur gjashtë ushtarë në këtë luftë.
Raketa balistike dhe dronë iranianë kanë goditur të paktën gjashtë nga rreth 19 objektet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, ku janë të dislokuara rreth 40 mijë trupa amerikane. Këto përfshijnë baza në Kuvajt, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrein dhe Irak.
Teherani ka shënjestruar gjithashtu edhe objekte diplomatike amerikane në rajon. Ambasada e SHBA-së në Riad u godit nga dy dronë të dyshuar iranianë më 3 mars, duke shkaktuar zjarr. Një zjarr tjetër u raportua pranë Ambasadës amerikane në Kuvajt më 2 mars, pas sulmeve me dronë.
