Lushaku-Sadriu: Kosova ka humbur kohë në kriza, pushteti duhet të fokusohet në qeverisje dhe rezultate

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prshtinë, 07 tetor, Zhurnal.mk – Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar pas përfundimit të procesit të zgjedhjes së Presidentes së Kosovës, duke kritikuar zhvillimet politike dhe duke kërkuar që pushteti të fokusohet në qeverisje dhe rezultate konkrete.

Përmes një postimi në Facebook, Lushaku-Sadriu ka thënë se gjatë zgjedhjes së Presidentit u pa se politika mund të bëhet “dramatike dhe vulgare” kur mungon vullneti politik dhe gatishmëria për kompromis.

“Dje përfundoi ky proces. Nga sot, pushteti duhet t’i kthehet përgjegjësisë për të qeverisur”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, Kosova ka humbur kohë në kriza, bllokada dhe përplasje politike, ndërsa qytetarët presin rezultate në arsim, shëndetësi, zhvillim ekonomik, punësim, paga, sundim të ligjit dhe procesin e integrimit evropian.

Lushaku-Sadriu ka theksuar gjithashtu nevojën për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe marrëdhënieve me aleatët.

Ajo ka bërë të ditur se në cilësinë e deputetes së opozitës do të vazhdojë të kërkojë llogari nga pushteti dhe të ngrejë në Kuvend çështjet që lidhen me jetën e qytetarëve, problemet e patrajtuara dhe të ardhmen e Kosovës.

“Do të jem kritike dhe e zëshme aty ku duhet, por gjithmonë me bindjen se politika duhet të kthehet te ajo për të cilën ekziston: të përmirësojë jetën e qytetarëve”, ka deklaruar ajo.

“Kosovës i duhet më pak spektakël politik dhe më shumë shtet. Më pak arrogancë dhe më shumë përgjegjësi. Më pak fjalë dhe më shumë rezultate”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër