Shkup, 06 Maj, Zhurnal.mk – Një raport i Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) thotë se në vitin 2023, Maqedonia e Veriut e kishte numrin më të madh të vdekjeve nga pluhuri ndotës PM2.5, shkruan Zhurnal.mk.
PM2.5 është një pluhur i imët dhe i rrezikshëm që depërton thellë në mushkëri dhe gjak dhe mund të shkaktohet nga trafiku rrugor, por edhe nga rafineritë, fabrikat e çimentos, lëndët djegëse fosile dhe zjarret në pyje.
Sipas këtij raporti të EEA para tre vitesh shkalla e vdekshmërisë në 100 000 njerëz që ndërlidhen me pluhurin PM2.5 në Maqedoni të Veriut ishte 222,2.
Pason Bosnja e Herzegovina (BeH) me 199 vdekje në 100 000 banorë, Shqipëria me 196,1; Serbia me 188,3, Kosova me 172,4, bulgaria me 143,8; Mali i Zi me 141,3, Greqia me 137,7; Rumania me 108,4; Kroacia me 107,3.
Islanda ëshë në fund të listës, me Zero vdekje, e para saj në fund të listës është Finlanda me 0,9 vdekje në 100 000 banorë, Suedia me 3, e Estonia me 5.
Ndërkohë agjencioni EEA është ende duke përpiluar të dhëna të reja për nivelin e ndotjesë me PM2.5 nëpër shtete të kontinentit, dhe nuk ka marrë të dhënat nga krejt shtetet, për të mundur përpiluar raport më të detajuar.
EEA tha në një komunikatë me 30 Prill se ka marrë të dhëna të vlefshme PM 2.5 për vitin 2024 dhe 2025 nga 37 vende raportuese (të gjitha, përveç Shqipërisë dhe Lihtenshtajnit).
“Të dhëna paraprake për vitin 2025 janë marrë nga të gjitha vendet pjesëmarrëse përveç Shqipërisë, Kosovës, Lihtenshtajnit, Malit të Zi, Serbisë dhe Turqisë,” tha agjensioni.
Sipas të dhënave të grumbulluara për Vlerat Kufizuese Vjetore (AVL) përqendrime të PM 2.5 mbi kufirin aktual të përcaktuar nga BE u vunë re në Turqi dhe në disa nga vendet e Ballkanit për shkak të përdorimit të lëndëve djegëse të ngurta, së bashku me flotat relativisht të vjetra të automjeteve.
“Në vitin 2024, 23 stacione (1% e totalit) regjistruan përqendrime mbi ALV-në aktuale të BE-së. Njëra prej tyre ndodhej në Shtetin Anëtar të Rumanisë, ndërsa të tjerat ishin në Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut (gjashtë secila), Serbi dhe Turqi (pesë secila). Nga këto, 91% ishin urbane dhe 4% periferike. Në të kundërt, 92.5% e stacioneve raportuese të PM 2.5 regjistruan përqendrime mbi nivelin vjetor të AQG-së të OBSH-së; 62.4% e këtyre stacioneve ishin urbane dhe 24.5% periferike. Të gjitha stacionet në Estoni dhe Islandë kishin përqendrime nën nivelin e AQG-së të OBSH-së,” tha EEA.
“Në vitin 2025, 17 stacione (1% e totalit) regjistruan përqendrime mbi ALV-në aktuale të BE-së. Ato ishin të vendosura në katër Shtete Anëtare (Itali (tre); Kroaci, Danimarkë dhe Poloni (nga një secila)) dhe dy vende të tjera raportuese (Maqedonia e Veriut (nëntë); dhe Bosnjë dhe Hercegovina (dy)),” tha EEA për të dhënat e vitit të kaluar.
Ndërkohë EEA ende nuk ka përpiluar raportin për niveline vdekshmërisë nga PM2.5 për vitet 2024 e 2025. / Zhurnal.mk
