Shkup, 30 korrik, Zhurnal.mk – Në konferencën e sotme për media, zëdhënësi i partisë, Valentin Manasievski, akuzoi se gjatë mandatit të Venko Filipçes si ministër i Shëndetësisë, institucionet kanë disponuar me informacione për qindra raste të ujit të papërshtatshëm për pije, pa e informuar me kohë opinionin.
Manasievski deklaroi se, sipas të dhënave që ata posedojnë, kanë ekzistuar rezultate nga rreth 400 analiza të ujit, për të cilat “nuk është ndërmarrë asnjë masë, e as qytetarët nuk janë paralajmëruar të mos e përdorin ujin për pije”.
Ai përmendi disa shembuj nga viti 2021, mes të cilëve — siç tha — ujë i papërshtatshëm në Shtëpinë e Shëndetit në Maqedonska Kamenica, në një çezmë para shkollës në Zelenikovë, si dhe në sisteme lokale të ujësjellësit në Debarcë dhe Trebnishtë, ku, sipas tij, janë konstatuar parregullsi mikrobiologjike dhe prani e bakteries Escherichia coli. Ai shtoi se gjetje të ngjashme ka pasur edhe për ujin në qendrën rekreative “Ponikva” pranë Koçanit.
