Prishtinë, 18 maj, Zhurnal.mk – Mbi 109 mijë shtetas janë aprovuar deri më tani për të votuar jashtë Kosovës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, ndërsa mbi 25 mijë aplikime mbeten ende në shqyrtim, raporton Ekonomia Online.
Zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha për Ekonomia Online se më 17 maj është përmbyllur periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e 8 qershorit.
“Sipas të dhënave preliminare, nga fillimi i këtij procesi më 6 maj dhe deri në përfundim të tij më 17 maj 2026, përmes platformës elektronike janë pranuar 142,803 kërkesa për regjistrim, prej të cilave deri më tani janë aprovuar 109,696, ndërsa 7,325 të tjera janë refuzuar dhe 25,702 janë në pritje për shqyrtim”, tha Elezi.
Ai bëri të ditur se mënyra më e preferuar e votimit nga diaspora mbetet votimi përmes postës.
“Nga 109,696 aplikime të aprovuara, 81,901 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës, 2,855 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 24,940 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, tha ai.
Sipas Elezit, votimi jashtë vendit do të zhvillohet më herët sesa dita e zgjedhjeve në Kosovë.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votimi jashtë vendit zhvillohet më herët. Së pari, planifikohet që votimi përmes postës të fillojë më 25 maj dhe të përfundojë më 6 qershor, ndërkaq votimi në përfaqësi diplomatike organizohet më 6 qershor”, tha ai.
Ai shtoi se për votimin me postë janë funksionalizuar kutitë postare në 23 shtete të botës, përfshirë Kosovën, ndërsa adresat e tyre do të publikohen gjatë javës.
Elezi tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta rishikojë listën e përfaqësive diplomatike ku do të organizohet votimi fizik, pasi disa prej tyre kanë më pak se 50 votues të regjistruar.
“Sipas vendimit fillestar, procesi i votimit planifikohej të organizohej në 48 përfaqësi diplomatike me gjithsej 70 vendvotime, prej të cilave 33 ambasada dhe 15 konsullata. Megjithatë, pasi në periudhën e regjistrimit ka një numër përfaqësish që kanë më pak se 50 votues të regjistruar, KQZ do ta rishikojë listën e përfaqësive diplomatike në të cilat do të organizohet votimi më 6 qershor”, tha ai.
“Sipas Rregullores Zgjedhore për Regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, nëse numri i votuesve të regjistruar për votim në një përfaqësi diplomatike është nën 50, votimi fizik në atë përfaqësi diplomatike nuk organizohet dhe votuesit e regjistruar do të kalojnë automatikisht në statusin e votuesve përmes postës dhe për këtë do të njoftohen nga KQZ”, tha Elezi për Ekonomia Online.
